SPORT, 5 Tetor 2020, 20:24

Bayerni kompleton organikën, afron tre futbollistë në ditën e fundit të merkatos

Bayerni kompleton organikën, afron tre futbollistë në ditën

Robert Lewandowski vijon të bindë në fushë dhe të shënojë gola pa fund, teksa vetëm ditën e djeshme dërgoi 4 herë topin në rrjetën e portës së Herthës së Berlinit dhe i dha Bayernit fitoren me rezultatin 4-3.

Megjithatë bavarezët e dinë që sezoni këtë herë do të jetë i gjatë, intensiv dhe plot të papritura për shkak të pandemisë, ndaj kanë menduar të gjejnë edhe një alternativë cilësore për polakun.

Pikërisht për këtë arsye kanë afruar sulmuesin 31-vjeçar Eric Maxim Choupo-Moting, i cili së fundi ka qenë pjesë e Paris Saint Germain dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që francezët të kualifikohen në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Choupo-Moting ishte një futbollist i lirë, pasi i kishte përfunduar kontratën me Paris Saint Germain dhe tani do të jetë pjesë e bavarezëve, me të cilët ka nënshkruar për një sezon dhe tani rikthehet në Bundesligë, ku më herët ka luajtur për klube si Schalke, Mainz, etj.

Bavarezët kanë rikthyer gjithashtu edhe sulmuesin anësor brazilian Douglas Costa, i cili ka qenë pjesë e klubit gjerman edhe në periudhën 2015-2017, para se të transferohej te Juventusi.

Sulmuesi anësor kthehet në Mynih me formulën e huazimit të thjeshtë për një sezon dhe verën e ardhshme pritet të rikthehet sërish në Torino, për t’iu bashkuar Juventusit apo për t’u shitur në ndonjë tjetër klub.

Ndërkohë më herët bavarezët zyrtarizuan edhe blerjen për 15 milionë euro të mesfushorit 23-vjeçar spanjoll Marc Roca. Ky i fundit kishte spikatur te Espanyol dhe ishte pikërisht Bayerni që u tregua më i shpejtë për ta marrë, ndërsa tani Roca do të mundohet të bëhet pasardhës i denjë i Thiago Alcantarës.