AKTUALITET, 30 Nëntor 2018, 17:37

Basha te ‘Unaza e Re’: Ne nuk do i braktisim qytetarët, vetëm se duhen mbushur xhepat e agait të Surrelit

Basha te ‘Unaza e Re’: Ne nuk do i braktisim qytetarët,

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka qenë sot sërish i pranishëm në ‘Unazën e Re’, ku banorët po protestojnë prej 27 ditësh kundër planit që parashikon shembjen e banesave dhe që nuk u garanton atyre dëmshpërblim real.

Basha ka theksuar se fatura e vjedhjes në projektin e zgjerimit të unazës është rreth 30 milionë euro. Ai premtoi se opozita nuk do i braktisë qytetarët që u rrezikohen shtëpitë.

“Opozita ka bërë publike fakte tronditëse për këtë aferë korruptive. Fatura e vjedhjes është 20-30 milionë euro. Së pari, kemi të bëjmë me një dëmtim të interesit qytetar. Krimi i dytë është nxjerrja jashtë shtëpive të mijëra e mijëra familjeve përpara festave të fundvitit, vetëm se duhen mbushur xhepat e agait të Surrelit. Ne nuk do i braktisim qytetarët. Është Edi Rama që i ka braktisur këta njerëz”, tha Basha.

I pyetur nga gazetarët për akuzat e kryebashkiakut Erion Veliaj, për lidhjet e pretenduara me kompaninë ‘Victoria Invest’, pjesë e këtij projekti, Lulzim Basha theksoi se kur drejtonte bashkinë e Tiranës, çdo tender jepej me garë dhe jo nëpërmjet kompanive fantazëm.