AKTUALITET, 13 Korrik 2019, 11:59

Basha takim me ish-kryeministrin e Kanadasë: Diskutuam për krizën e rëndë ku është futur Shqipëria


Kryedemokrati Lulzim Basha ka takuar ish-kryeministrin e Kanadasë, Stephen Harper. Basha shprehet se në takim kanë diskutuar për krizën e rëndë politike dhe kushtetuese ku është futur vendi si edhe për rrugëdaljen prej saj.

“Nder dhe privilegj të takohem në Tiranë me mikun e çmuar Stephen Harper , Presidentin e International Democrat Union, ish-kryeministër i Kanadasë dhe një ndër zërat më të spikatur të së djathtës në mbarë botën.

Bashkë diskutuam për krizën e rëndë politike dhe kushtetuese ku është futur vendi si edhe për rrugëdaljen prej saj që duhet të kalojë përmes mbrojtes së standardeve të demokracisë dhe të shtetit ligjor.

Si një ndër përkrahësit më të vyer të integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë, i shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e tij të vazhdueshme që Shqipëria të përmbushë standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës si garancia e vetme për integrimin tonë në BE. Partia Demokratike e Shqipërisë dhe unë e mirëpresim bashkëpunimin e mëtejshëm në kuadër të organizatës botërore të IPU që përfshin partitë e djathta dhe të qendrës së djathtë me seli në Munih, ku aderojmë prej vitesh”, shprehet Basha.

Gjatë muajve të fundit ka pasur një përplasje e cila vijon ende mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Pasi opozita nuk njohu zgjedhjet e 30 qershorit dhe vijonin protestat, Meta nxori një datë të re për zgjedhjet, 13 tetorin.

Nga ana tjetër Rama shfaqet i vendosur se zgjedhjet e vetme ishin më 30 qershor.

Njëkohësisht nga ana e socialistëve ka nisur edhe procedura për shkarkimin e Metës.

Disa ditë më parë u ngrit edhe Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit. Rama e quan Metën ‘armik’ të Kushtetutës.