AKTUALITET, 8 Qershor 2021, 14:23

Basha: Tre arsye pse PD është më e fortë pas zgjedhjeve të 25 prillit

Basha: Tre arsye pse PD është më e fortë pas zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një takim me demokratët e Njësisë 6 në Tiranë deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit “kanë hyrë tashmë në histori si një ngjarje e dy përmasave”.

“E para, kurrë më parë më parë në 30 vite demokraci me gjithë krizat e saj, përmasat e masakrave zgjedhore nuk kanë qenë të tilla si të 25 prillit.

Qoftë në volumin e të keqes, qoftë blerje votash, dhunim, shantazh, kërcënim, shpunësim, qoftë në katalogun e padrejtësive duke filluar nga rikthimi në jetë i praktikave të sigurimit të shtetit përmes vjedhjes dhe përdorimit e të dhënave personale.

Me 25 prill përkohësisht ka rënë demokracia, ka rënë demokracia dhe këtë duhet ta themi me gojën plot sepse demokraci nuk është një koncept abstrakt, por është vullneti i shumicës.

25 prilli nuk është dita ku shumica vendosi, por është dita kur përdhunshëm mekanizmat e Edi Ramës e Erion Veliajt dhe bandave dhe oligarkëve të tyre morën peng këtë vullnet, morën peng zhvillimin, morën peng ëndrrën pë ndryshim”.

Ndërsa nënvizoi se PD ishte e “vetëdijshme për pabarazinë e betejës” së 25 prillit, Basha tha se disa javë pas zgjedhjeve, mazhoranca “është hedhur me një makineri te sofistikuar propagande në agresion sërish ndaj Partisë Demokratike”.

“Sepse përtej masakrës zgjedhore, përtej blerjes masive të votës, përtej dhunës sistematike ndaj aktivistëve tanë, ne jo vetëm nuk u zvogëluam, por u rritëm dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për rritje numerike që është e faktuar në degët që ju mbuloni, në KZAZ-te që ju mbuloni.

Sa më shumë rritej dhe zmadhohej aleanca jonë me shoqërinë aq më shumë shtohej dhe rritej ankthi i Edi Ramës dhe bashkë me të rritej edhe shtohej katalogu i dhunimeve dhe i masakrës zgjedhore”, u shpreh Basha.

Para demokratëve të Njësisë 6, kreu në detyrë i PD renditi dhe tre arsyet që sipas tij PD është më e fortë pas zgjedhjeve parlamentare.

“Tre janë elementët kryesorë pse përkundër kësaj masakre jemi sot më të mëdhenj, më të fortë dhe më të bashkuar sesa hymë në këtë betejë.

Arsyeja e parë dhe kryesore është se pavarësisht prej mosmarrëveshjeve dhe pakënaqësive që janë normale në çdo familje politike, ju ditët t’i sheshonit ato dhe të futeshit në betejë të bashkuar.

Anti-vlerave të Edi Ramës nuk iu përgjigjem me këtë betejë dhe kjo është arsyeja e dytë sepse masakrës zgjedhore të 25 prillit Partia Demokratike i rezistoi jo thjeshtë duke qëndruar, por duke u rritur dhe forcuar.

Arsyeja e tretë është padiskutim programi për të cilin ju fola, por unë besoj se asnjë prej këtyre të trejave në vetvete apo të treja bashkë, nuk kishin për të mjaftuar po mos të kishim një arsye tjetër, më të madhe.

Si është e mundur, pra, në kushtet e masakrës zgjedhore, me një regjim që bëri gjithçka, besimi tek Partia Demokratike nuk u ul por u rrit dhe po mos të ishte për masakrën zgjedhore do të sillte përmbysjen e regjimit.

Sepse i bindëm shqiptarët jo me fjalë por me vepra, me sakrificën tonë që këtë betejë nuk e bëjmë për veten tonë, nuk e bëjmë për karrigen time, nuk e bëjmë për karriget tuaja por e bëjmë për ta e do të vazhdojmë ta bëjmë për ta”, tha Basha.

Ndërkohë theksoi se në kampin kundërshtar “janë rikthyer trukeve dhe hileve të vjetra”.

“Me një dorë godasin demokratët, godasin këdo që ka marrë pjesë në fushatë dhe dorën tjetër bën sikur ma shtrin mua.

Kjo s’është thjesht pafytyrësi, kjo është kriminale. Dy qëndrime të prera dhe të pandryshueshme, të cilat për mua janë ABC-ja e rrugës që duhet të ndjekim për ta shpëtuar Shqipërinë nga kjo harbutëri e përbindshme, nga ky rrëgjim dhe i pari i saj.

E para, 25 Prilli është masakër zgjedhore, nuk mund dhe nuk do të njihet e nuk do të pranohet kurrsesi si një rezultat legjitim dhe si një shprehje e vullnetit të shqiptarëve.

Dhe e dyta, autori i kësaj masakre, nuk mund t’i shtrijmë dorën, por mund t’i ofrojmë të vetmin gjë që meriton dhe që i jep çdokush që ka një fije qytetërimi dhe përgjegjësie para shoqërisë dhe para kombit, betejë deri në fund.

Sot në kushtet e një gare të brendshme, një garë e cila është një tjetër provë e vlerave tona, e vlerave të demokracisë, e vlerave të respektit për konkurrencën, për debatin.

Të gjithë duhet të jemi krenar me këto vlera dhe ky është një avantazh i padiskutueshëm për të cilin nuk duhet të fshihemi por duhet ta shpalosim para shqiptarëve si një garanci më shumë, sepse jemi të gatshëm dhe gati për të administruar daljen nga kriza dhe për të përmbushur aspiratat e tyre për ndryshim.

Por disavantazhi qëndron në faktin se dorëzimi përballë atyre që 25 Prillin nuk e konsiderojnë masakër zgjedhore por një fitore të Edi Ramës, mund të mbjellë nja tjetër farë përçarje në gjirin e një familje që ka dalë e bashkuar nga kjo betejë.

Nxitimi i ndokujt, i ndonjë mendje të turbulluar nuk mund të përbëjë arsye për t’i rënë me shqelm sakrificës prej secilit prej jush në këtë sallë dhe të mijëra demokratëve anembanë Shqipërisë. Nuk mund të përbëjë arsye për të shkatërruar atë që kemi ndërtuar sëbashku. 25 prilli duhet të na bashkojë, 25 prilli është masakër zgjedhore dhe çdo qëndrim tjetër është i papranueshëm.

Është i papranueshëm jo për mua, por sepse është e vetmja farë nga mund të mbijë fidani i përçarjes tek i cili shpreson të kapet si i mbyturi pas fijes së kashtës Edi Rama dhe regjimi i tij”, u shpreh Basha.