AKTUALITET, 25 Shtator 2018, 12:59

Basha kundër Berishës, apo një lojë kukamshefti mes tyre?

Basha kundër Berishës, apo një lojë kukamshefti mes tyre?

Mund të numërohen me gishtat e dorës, rastet kur publikisht, pavarësisht pa kënaqësive që ruajnë në heshtje kundrejt njëri tjetrit, rastet kur Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë shfaqur publikisht me qëndrime radikalisht të kundërta.

Një nga rastet e fundit që mbahet mend është ai gjatë kohës së çadrës kur lideri de fakto këmbëngulte për bojkotin e zgjedhjeve dhe lideri historik e kundërshtonte atë. Tani duket se të dy kanë bërë një rokadë në qëndrime. Të hënën në mbrëmje, i ftuar në “Open” Basha deklaroi me gojën plot se PD: “Do hyjë në zgjedhje dhe do të fitojë zgjedhjet lokale. Detyra jonë është që t’i japë fund grushtit të shtetit që qeveris sot”.

Kru i PD-së duket se ka hedhur edhe hapa konkretë në këtë drejtim. Ai ka shpallur së fundi edhe zgjerimin e koalicionit opozitar me PDIU duke dëshmuar se është i osesionuar që të bëjë numrat për të mundur PS-në. Ky veprim u shoqërua edhe me një jehonë ne mediat pranë opozitës që bënin llogaritë se bashkë me LSI-në dhe PDIU-në, koalicioni i djathtë bëhej shumicë në shumë bashki të vendit. Pra sipas këtij versioni fitorja nuk është një “mollë e ndaluar”, nga lidhjet e qeverisë me krimin oligarkët dhe ndihmën që i japin këtij koalicioni mediat e rregjimit.

Por krejt ndryshe ka folur Sali Berisha 10 ditë më parë. në rikthimin e tij pas 5 vitesh në “Opinion”, ish kryeministri deklaroi se fitorja në zgjedhje kundër Ramës është një mision i pamundur, pasi ai ka në dorë të gjitha mjetet për ti manipuluar ato. Pikërisht për këtë arsye Berisha bëri thirrje për një kryengritje popullore.

Po të shikosh me imtësi edhe analiza e Bashës edhe ajo e Berishës ngjajnë si dy pika uji. Ata ndahen vetëm në konkluzionin se si do të ndryshohet situata: me rrugë radikale sipas versionit të liderit historik, apo në marrëveshje me Ramën përmes votimeve të projektligjeve për vettingun e politikanëve, të pengimit të koncesioneve për oligarkët apo të “bindjes” së Ramës për të shembur themelet mbi të cilat ka ngritur pushtetin e tij.

Ngado që ta marrësh. qasja e Bashës që shpreson se do të përmirsojë “Rilindjen” në rastin më të mirë është naive dhe në rastin më të keq vërtetimi i gjithë akuzave që i bëjnë kundërshtarët e tij brenda partisë.

Këto dyshime rrëzohen vetëm në rastin nëse ish kreu i PD dhe pasardhësi i paracaktuar prej tij i kanë ndarë me mirkuptim rrolet: Berisha duhet të bëjë radikalin dhe Basha eksploruesin e të gjitha mundësive, deri sa të vijë tek zgjidhja finale./ Lapsi.al/