AKTUALITET, 7 Prill 2019, 11:13

Basha: Beteja e demokratëve ka në themel varrosjen e fenomenit Rama

Basha: Beteja e demokratëve ka në themel varrosjen e fenomenit Rama

Kryedemokrati Lulzim Basha ka udhëtuar sot drejt Rrogozhinës për të takuar nga afër e biseduar me qytetarët. Nën një atmosferë të ngrohë, flamujve blu e thirrjeve “Basha, Basha”, qytetarët e Rrogozhinës kanë mbushur rrugët për ta pritur Bashën.

Ai foli për ndryshimin e sistemit, i cili tha se nuk duhet të mbrojë të fortët, ndërsa ndëshkon të dobëtit e më të pamundurit.

“Ndryshim sistemi do të thotë që deputetët e ardhshëm të Shqipërisë nuk do të përcaktohen më nga një njeri, por do jenë prodhim i vullnetit të qytetarëve.

Ju do i përcaktoni kandidatët e ardhshëm të PD në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë ata nuk do jenë njerëz pa emër, fytyrë që ngrenë thjesht kartonin. Fati i tyre lidhet vetëm me votuesin, vetëm me qytetarin. Do garantojmë që Parlamenti të mos jetë më noteri i qeverisë, por mbrojtës i interesave tuaja”.

Beteja e demokratëve sipas Bashës, ka në themel varrosjen e fenomenit Rama.

“Beteja jonë është për të varrosur njëherë e mirë fenomenin e Ramës, pushtetarit batakçi, të lidhur me krimin që shkatërron ekonominë, futet në shtëpitë tuaja, në xhepat tuaja për të pasuruar veten e tij dhe një grusht njerëzish”,- tha Basha.