AKTUALITET, 7 Mars 2019, 23:38

Barazim pa gola në Gjermani, Interin e dënon Brozoviç

Barazim pa gola në Gjermani, Interin e dënon Brozoviç

Pjesa e parë ishte mjaft e mirë për Interin, të cilët ishin pak më lart se vendasit e Ajntrahtit. Madje, në minutën e 22-të patën rastin më të mirë, ku Lautaro Martinez fitoi një 11-metërsh. Te pika e bardhë u paraqit Marselo Brozoviç, por mesfushori kroat u ndal mrekullisht nga portieri Kevin Trap.

Kështu, 45 minutat e para u mbyllën pa gola. Në fraksionin e dytë, ekipi gjerman erdhi me një fytyrë të re, teksa nisi menjëherë të ushtrojë presion. Fillimisht, Frankfurtit iu anullua një gol për pozicion të parregullt, ndërsa pak minuta më vonë Haler pati pretendime për një penallti, e cila ishte mjaft e dyshimtë.

Gjithsesi, me kalimin e minutave ritmi i skuadrave ra. Kështu, deri në fund takimi nuk prodhoi më asgjë dhe gjithçka u mbyll në barazim 0-0, duke lënë të hapur kualifikimin për në ndeshjen e dytë.

Europa League

Faza e 1/8-ave

Ajntrah Frankfurt – Inter 0-0