TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare nuk duan përshkallëzim të situatës teksa po afrohet 31 tetori, që është edhe afati i fundit për ndërrimin e targave me inicialet e qyteteve të Kosovës nga periudha e para luftës, me ato RKS.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga hapat përshkallëzues.
“Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare presin që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga hapat e njëanshëm, përshkallëzues dhe të përqendrojnë të gjithë energjinë dhe përpjekjet në arritjen e përparimit në dialog për ta çuar atë përpara drejt qëllimit përfundimtar të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, është shprehur zëdhënësi i BE-së për Klan Kosova.
Stano, mes tjerash, tha se parandalimi i përshkallëzimit mes dy vendeve mund të arrihet vetëm përmes dialogut.
“Progresi në dialog është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin që dëmton vetëm njerëzit në të dyja anët”, theksoi Stano.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme, pas përfundimit të Samitit për Ballkanin Perëndimor në Prishtinë, ishte i prerë se vendimi për riregjistrimin e të gjitha veturave me targa RKS nuk shtyhet më pasi i njëjti vendim u shty një herë në fund të shtatorit.
“Ne vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i ekzekutivit, mes tjerash, tha se ky vendim nuk është kundër serbëve që jetojnë në Kosovë.