BALLKAN, 11 Maj 2023, 20:20

Vuçiç takon të dërguarin e BE: Nuk lejojmë veprime të paligjshme lidhur me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë

Vuçiç takon të dërguarin e BE: Nuk lejojmë veprime

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, priti në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për sanksione, David O'Sullivan.

Vuçiç theksoi se “ndonëse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, si partner i besueshëm, nuk do të lërë hapësirë që kjo të përdoret për veprime të paligjshme, të cilat do t’u mundësonin vendeve të treta të shmangin regjimin e masave kufizuese të BE-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të kabinetit të presidentit të Serbisë.

Ai gjithashtu tha se Serbia është “e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, me respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe detyrimeve që dalin nga MSA-ja dhe Korniza negociuese”.

Vizita e O'Sullivan vjen pasi Komisioni Evropian, fundjavën e kaluar, u dërgoi vendeve anëtare të BE-së propozimin e tij të fundit për sanksione kundër Rusisë.

Lajmi kryesor nga kjo pako është se Brukseli propozon masa ndëshkuese ndaj vendeve të treta që anashkalojnë qëllimisht sanksionet e BE-së.

Ndër të tjera, televizionit shtetëror rus “Russia Today Balkans” (RT Ballkan) do t’i pezullohet licenca për transmetim në BE, pas një sërë kanalesh të tjera të RT-së, të cilat patën fatin e njëjtë.

Russia Today Balkans filloi transmetimin online në gjuhën serbe, në nëntor të vitit 2022, më shumë se gjysmë viti pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Një ditë më parë, O'Sullivan u takua me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila tha se Serbia nuk është dhe nuk do të jetë platformë për anashkalimin e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë, siç thuhet në njoftimin nga kabineti i saj.