BALLKAN, 29 Qershor 2026, 12:54

Vuçiç pritet të kandidojë për kryeministër, pas premtimit për dorëheqje

Spekulime të përhapura se presidenti serb Aleksandër Vuçiç planifikon të kërkojë postin e kryeministrit kanë pasuar njoftimin e tij të fundjavës se ai së shpejti do të largohet nga detyra e kreut të shtetit.

“Do të qëndroj president edhe për disa javë të tjera dhe pastaj do të jap dorëheqjen,” u tha Vuçiç mijëra mbështetësve të partisë së tij në pushtet, Partia Progresive Serbe, në Beograd të shtunën.

Qeveria e Vuçiçit ka qenë nën presion të madh për shkak të protestave masive të vazhdueshme që pasuan katastrofën në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024. Mandati i tij i dytë si president përfundon vitin e ardhshëm dhe, sipas ligjit, ai nuk mund të kandidojë përsëri për president.

Vuçiçi nuk tha se synon të marrë postin e kryeministrit, por u tha mbështetësve të SNS-së se “në zgjedhjet e ardhshme – nëse ma kërkojnë dhe nëse duan – do t’ju bashkohem për të ndihmuar në fitimin e besimit të njerëzve”.

Vuçiç pritet të kandidojë për kryeministër,

Megjithatë, Kathleen Van Brempt, eurodeputete e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, deklaroi se “Vuçiçi dhe partia e tij nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga pushteti”.

Van Brempt pretendoi se Vuçiçi po kërkon të “vendosë një president kukull besnik, të vazhdojë të qeverisë nga prapaskena dhe më në fund të kthehet si kryeministër”.

Aleatët e Vuçiçit kanë deklaruar javët e fundit se lideri populist-nacionalist, partia e të cilit ka qenë në pushtet që nga viti 2012, duhet të bëhet kryeministër pasi të largohet nga presidenca.

Kreu i SNS-së, Milos Vuceviç, tha më 11 qershor se “zgjedhja e natyrshme është që Vuçiçi të bëhet kryeministër”.

Pak ditë më vonë, kryetarja e parlamentit Ana Brnabiç tha se ajo “shpreson sinqerisht që Vuçiçi ta pranojë ftesën dhe thirrjet tona, si nga ne ashtu edhe nga Partia Progresive Serbe, për të qenë kandidati ynë për kryeministër”.

Në janar, Aleksandër Vuçiç tha për televizionin Informer se mund të ishte kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. “Kjo mundësi ekziston nëse sondazhet e opinionit publik tregojnë se Serbia do të shkonte në drejtim të gabuar nëse unë nuk do të isha kandidat,” tha ai.

Para se të bëhej president, Vuçiçi ka shërbyer si zv/kryeministër i parë nga viti 2012 deri në 2014, dhe më pas si kryeministër nga 2014 deri në 2017.

Thirrja për zgjedhje të parakohshme ka qenë një kërkesë kyçe e lëvizjes së protestave të udhëhequra nga studentët, e cila akuzon administratën e Vuçiçit për korrupsion dhe rritje të autoritarizmit.

“Më në fund, zërat e shumë të rinjve në Serbi po dëgjohen, të cilët prej kohësh kanë dalë në rrugë dhe po kërkojnë një ndryshim drejtimi për vendin. Një ndryshim drejtimi, larg korrupsionit dhe një spiraleje autoritare në rënie,” shkroi në X të shtunën Andreas Schieder, një tjetër eurodeputet nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve.

Kryetarja e parlamentit Brnabiç iu kundërpërgjigj Schieder-it për ndërhyrjen e tij: “Kujt i intereson çfarë mirëpret ti dhe kush të jep ty të drejtën të kërkosh diçka nga Serbia? Largohu!” shkroi ajo në X.

Të dielën, studentët që kanë udhëhequr lëvizjen e gjatë të protestave organizuan një tjetër tubim antiqeveritar në qytetin qendror të Kraljevës. Folësit në aktivitet ritheksuan mesazhin kryesor të lëvizjes përpara zgjedhjeve të pritshme, duke brohoritur: “Studentët po fitojnë.”/Birn