BALLKAN, 26 Qershor 2026, 14:27

Hulumtimi i “Der Spiegel” – Kush është gjermani që e këshillon presidentin e Serbisë?

Hulumtimi i “Der Spiegel” – Kush është gjermani

Një hulumtim i përbashkët i revistës gjermane “Der Spiegel” dhe rrjetit të gazetarisë investigative BIRN ka zbuluar një lidhje interesante mes qeverisë gjermane dhe presidentit autokrat të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas dokumenteve të zbuluara të Ministrisë gjermane të Ekonomisë, Gjermania financon me paratë e taksapaguesve të saj një këshilltar të ngushtë gjerman që punon brenda pallatit presidencial në Beograd, me qëllim që t’i sigurojë industrisë gjermane të veturave qasje në Luginën e Jadarit, një nga rezervat më të mëdha të litiumit në Evropë.

Këshilltari 49-vjeçar quhet Jörg Heeskens. Sipas “Der Spiegel” ai është i vetmi këshilltar presidenti që qeveria gjermane financon jashtë vendit. Heeskens ka marrëveshje zyrtare, zyrë private dhe personel në kabinetin e presidentit serb. Falë angazhimit të Heeskens në Serbi kanë hapur linjat e prodhimit firma gjermane si Leoni, Continental dhe Brose. Sipas dokumenteve, ky partneritet ka kushtuar rreth 1.3 milionë euro deri më tani dhe është zgjatur nga qeveria aktuale në Berlin deri në dhjetor të vitit 2026.

Hulumtimi vë në dukje se në qeverinë paraprake gjermane ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe ministri i Ekonomisë Robert Habeck proklamonin një “politikë të jashtme të bazuar tek vlerat”, por edhe Habeck ia vazhdoi kontratën Jörg Heeskensit. Interesimi i Gjermanisë për të siguruar litium ishte i madh, përkundër protestsave masive në Serbi kundër projektit.

Lidhja mes Vuçiqit dhe këshilltarit të tij gjerman është aq e ngushtë sa vetë presidenti serb ka deklaruar publikisht: “Unë e thërras ‘Shvaba im’ (gjermani im), ndërsa ai më quan ‘serbi im i egër’”. Heeskens, sipas “Der Spiegel”, ka blerë një banesë në projektin e debatueshëm “Belgrade Waterfront”, që nga opozita serbe shihet si simbol i korrupsionit të regjimit.

Heeskens rrjedh nga rajoni i Schwarzwaldit në Gjermani dhe ka studiuar për shkenca politike në Freiburg. Ai ka një karrierë të gjatë të lidhur me Ballkanin, ku fillimisht nisi punë në vitin 2009 si këshilltar për organizatën shtetërore gjermane GIZ në Suboticë dhe më pas në Ministrinë e Ekonomisë në Beograd. Bashkëpunimi i tij i ngushtë me Aleksandar Vuçiqin ka nisur të paktën që nga prilli i vitit 2014, kur ky i fundit mori postin e kryeministrit, dhe ka vazhduar pandërprerë për më shumë se 10 vite edhe pas zgjedhjes së Vuçiqit si president. Gjatë kësaj kohe, Heeskens e ka mbrojtur hapur dhe publikisht autokratin serb, duke deklaruar nëpër debate se miliona serbë nuk e votojnë Vuçiqin për shkak të ndikimit të televizioneve, por sepse jete e tyre është përmirësuar.

Përpjekjet gjermane për të siguruar litium nga Serbia arritën kulmin në korrik të vitit 2024, kur kancelari Olaf Scholz udhëtoi në Beograd për të nënshkruar një marrëveshje për minierën me gjigantin minerar “Rio Tinto”. Mirëpo, ky hap ndezi protesta masive në Serbi. Qytetarët, të përkrahur nga mbrojtësit e mjedisit dhe opozita, bllokuan rrugët për shkak të frikës se nxjerrja e litiumit helmon tokën dhe ujin. Zemërimi u rrit edhe më shumë në nëntor të vitit 2024, pas tragjedisë së rrëzimit të çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, gjë që i ktheu protestat në një lëvizje mbarëkombëtare kundër korrupsionit të Vuçiqit.

Për të zbutur revoltën, Ministria gjermane e Zhvillimit madje ndau 4.9 milionë euro për të ndihmuar në përmirësimin e imazhit të projektit përmes fushatave mediatike, por pa sukses. Për shkak të presionit të madh dhe frikës nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme, ku Vuçiq synon të bëhet kryeministër pasi nuk mund të kandidojë më si president, kompania “Rio Tinto” u detyrua të pezullojë projektin në nëntor të vitit 2025.

Aktualisht, Gjermania gjendet në një udhëkryq diplomatik: për të pasur sërish shans mbi litiumin serb, asaj i duhet të shpresojë që autokrati Vuçiq të mbetet në pushtet, pasi opozita ka premtuar ndalimin ligjor të minierës, shkruan “Der Spiegel”. Ndërkohë, vetë Vuçiq ka filluar të interesohet për partnerë të tjerë. Së fundmi, ai vizitoi Kinën duke siguruar rreth 1 miliard euro investime të reja direkte dhe duke thumbuar hapur Bashkimin Evropian se po përpiqet t’i diktojë drejtimin e diplomacisë serbe.

Bashkëpunimi ekonomik mes Gjremanisë dhe Serbisë ka shënuar rritje të jashtëzakonshme. Vëllimi i tregtisë bilaterale është dyfishuar duke kaluar shifrën prej 10 miliardë eurosh në vit, gjë që e bën Gjermaninë partnerin kryesor tregtar të Serbisë. Ky ekspansion ka sjellë hapjen e më shumë se 80 mijë vendeve të punës përmes fabrikave të investitorëve të mëdhenj gjermanë, veçanërisht nga industria automobilistike dhe ajo e pjesëve të këmbimit si Continental, Leoni, Brose, Boysen, si dhe gjiganti i hidrosanitareve Hansgrohe, të cilët janë tërhequr nga subvencionet shtetërore, lehtësitë doganore dhe kostoja e ulët e fuqisë punëtore ku paga mesatare sillet rreth 780 euro në muaj.