TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar zyrtarisht zgjatjen edhe me një vit të gjendjes së emergjencës kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor.
Përmes një urdhri të firmosur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Uashingtoni konfirmon se situata në rajon, e karakterizuar nga korrupsioni i përhapur, minimi i marrëveshjeve të pasluftës dhe tentativat për të cenuar integritetin territorial, vijon të përbëjë një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.
Gjendja e emergjencës, e cila daton që nga viti 2001, do të mbetet në fuqi përtej afatit të parashikuar të 26 qershorit 2026, në përputhje me Ligjin për Emergjencat Kombëtare të SHBA-së.
Urdhri i parë ekzekutiv (13219) u deklarua më 26 qershor 2001 për të adresuar dhunën ekstremiste në Maqedoninë e Veriut të asaj kohe dhe pengesat ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë apo Rezolutës 1244 të OKB-së në Kosovë. Megjithatë, përgjatë dy dekadave të fundit, fushëveprimi i këtij urdhri ka pësuar ndryshime rrënjësore duke u përshtatur me rreziqet e reja në rajon.
Në qershor të vitit 2021, scope-i i emergjencës u zgjerua zyrtarisht duke përfshirë edhe territorin e Republikës së Shqipërisë. SHBA-ja konstatoi se korrupsioni i përhapur gjerësisht brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, si dhe minimi i institucioneve të pasluftës, pengojnë përparimin drejt qeverisjes efektive e demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet euroatlantike.
Sipas njoftimit zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, hapat e fundit ndaj kësaj emergjence u ndërmorën përmes një Urdhri Ekzekutiv të firmosur më 8 janar 2025 (EO 14140). Ky vendim erdhi në dritën e ngjarjeve shqetësuese ku individë të caktuar në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të sfidojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të kombeve të rajonit.
Dokumenti vë në dukje se këta aktorë jo vetëm që minojnë sundimin e ligjit përmes korrupsionit domethënës, por po angazhohen në mënyrë aktive për t’iu shmangur dhe evaduar sanksioneve të vendosura nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Për këto arsye, duke qenë se veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkan mbeten një rrezik real, emergjenca kombëtare është zgjatur zyrtarisht me 1 vit. Ky njoftim do të publikohet në Regjistrin Federal dhe do t’i transmetohet menjëherë Kongresit Amerikan për procedim të mëtejshëm.