BALLKAN, 26 Mars 2022, 17:35

Vjosa Osmani takon ish-Sekretarin amerikan John Kerry: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, garancia më e mirë për paqe

Vjosa Osmani takon ish-Sekretarin amerikan John Kerry: Anëtarësimi i

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me të Dërguarin e Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike dhe ish-Sekretar i Shtetit John Kerry.

Osmani ka falënderuar ish-Sekretarin Kerry për angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj të ecë përpara, që sot të gëzojë marrëdhënie unike me SHBA-të.

Ata diskutuan edhe për zhvillimet në Evropë dhe rajon si rezultat i agresionit rus në Ukrainë duke përmendur përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë popullit ukrainas.

Osmani theksoi rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancia më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon.

Ajo vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

“Pavarësisht politikave vendore dhe globale, ndryshimet klimatike nuk do të ndalojnë së ndodhuri. Është një nga sfidat më serioze të kohës sonë. Të flasim për ndryshimet klimatike nuk është temë luksoze, por ekzistenciale për të siguruar jetën e fëmijëve tanë. Kosova nuk është imune ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Andaj, Kosova me të drejtë kërkon të jetë pjesë e nismave globale për luftimin e ndryshimeve klimatike” ka thënë Osmani.