BALLKAN, 31 Tetor 2023, 09:24

Tre prej tyre shqiptarë, këta janë disa nga ministrat e Qeverisë së re të Malit të Zi. Ikën kryeministri Abazoviç

Tre prej tyre shqiptarë, këta janë disa nga ministrat e

Pas një seance të gjatë natës, Kuvendi i Malit të Zi, ka zgjedhur mëngjesin e sotëm (31 tetor) Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiç.

Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.

Ndërkohë, siç bëjnë të ditur mediat se një nga ministrat nga partia PES e kryeministrit është edhe Filip Ivanoviç (Punë të Jashtme).

Ndërsa sa i përket partive shqiptare, Nik Gjeloshaj është zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike, raporton Telegrafi.

Mësohet se Dragan Krapoviç është ministër i Mbrojtjes, Vladimir Martinoviç është ministër i Turizmit, Ekologjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndërsa Tamara Vujoviç është ministre e Kulturës dhe Mediave.

Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.

Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviçit, qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.