BALLKAN, 30 Tetor 2023, 19:31

Takimi në Prishtinë, Kurti: Njoha Presidenten e KE-së me qëndrimin që ka Kosova për “Nenin 7 të Marrëveshjes Bazike”

Takimi në Prishtinë, Kurti: Njoha Presidenten e KE-së me

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në Prishtinë, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të hënën.

Siç njofton zyra e kryeministrit të Kosovës, Kurti e ka njoftuar Ursula von der Leyen edhe për qëndrimin e Kosovës rreth Marrëveshjes Bazike me Serbinë, saktësisht nenin 7, ku flitet për vetë-menaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Duke i uruar mirëseardhje në ndërtesën e Qeverisë dhe kryeqytetin e Republikës, kryeministri Kurti falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Po ashtu, në këtë takim është folur edhe për çështjen e mbështetjes finnaciare të Bashkimit Evropian për projektet infrastrukturore.

Në takim është diskutuar edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri.

”Ai e njoftoi edhe për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës.

“Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoicic në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten”.

”Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor. Ky ishte takimi i gjashtë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”, pëmrbyllet komunikata e zyrës së kryeministrit. /Gazeta Express