BALLKAN, 13 Qershor 2023, 20:12

Tensionet në Mitrovicë dhe arrestimi i një serbi, reagon Petkoviç: Nuk është kriminel, Kosova s’ka prova

Tensionet në Mitrovicë dhe arrestimi i një serbi, reagon

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka reaguar pas arrestimit të një shtetasi serb paraditen e sotme në Mitrovicë.

Ai u shpreh se Millun Millenkoviç- Llune nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat ndaj tij.

“Ai është një luftëtar i shquar për interesat kombëtare serbe dhe për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një konference për media në Beograd.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka arrestuar Millun Millenkoviç- Llune, që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.

Sipas Sveçlës, ai dyshohet se ka organizuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.

Petkoviç tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend se të ulë tensionet, po dërgon forca të reja policore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Petkoviç i bëri thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe të largojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Ai po ashtu tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë ditës ka biseduar disa herë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.
Petkoviç po ashtu tha se komandantit i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, do të qëndrojë në Beograd të mërkurën, më 14 qershor, dhe do të zhvillojë bisedime me Vuçin dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviç.