BALLKAN, 27 Gusht 2022, 11:02

Skandali i përgjimeve në Greqi, Mitsotakis refuzon sërish të japë dorëheqjen

Skandali i përgjimeve në Greqi, Mitsotakis refuzon sërish të

Prej muajsh qarkullonin thashethemet, por prej disa javësh është e sigurt: shërbimi sekret grek EYP ka përgjuar Nikos Androulakis, eurodeputet dhe kryetar i partisë së dytë më të madhe opozitare, Pasok, dhe gazetarin e financave, Thanasis Koukakis.

Mitsotakis nuk përgjigjet shumë konkretisht

Skandali i përgjimeve vazhdon ta ndjekë nga pas  kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Gjatë një debati të ashpër në Parlamentin e  Athinës, kreu i qeverisë konservatore përsëriti se përgjimi i telefonit të kryetarit të një partie opozitare ishte një veprim në përputhje me ligjet, por “politikisht i papranueshëm”. Por çdo iniciativë për korrigjimin e këtij gabimi nuk duhet të cenojë punën e rëndësishme të shërbimit sekret EYP.​

Me gjithë pyetjet e shumta të bëra nga ana e deputetëve të opozitës, kryeministri tha se përgjimet kishin të bënin me çështje të sigurisë kombëtare, pa dhënë sqarime të mëtejshme. “Le t’u vëmë vizën gabimeve të djeshme,” kërkoi kryeministri konservator. Ai tha se vetë nuk kishte qenë në dijeni të përgjimeve.

Tsipras akuzon Mitsotakisin për arrogancë

Ish-kryeministri dhe kreu i partisë së majtë Syriza, Alexis Tsipras, e kritikoi ashpër Mitsotakisin. “Kreu i qeverisë ka detyrim ligjor, politik dhe jo më pak moral të zbardhë të kaluarën”, tha Tsipras dhe kërkoi sërish dorëheqjen e tij. Tsipras pyeti nëse bëhej fjalë për sigurinë kombëtare apo nëse Androulakis ishte një agjent i huaj. Ai tha se refuzimi i Mitsotakisit për të thënë të vërtetën është përgjigje e mjaftueshme. “Dorëhiquni. Ju nuk jeni të interesuar për demokracinë për shkak të arrogancës suaj,” tha Tsipras.