BALLKAN, 26 Gusht 2022, 09:27

Gabriel Escobar porosi për Albin Kurtin: Asociacioni duhet të formohet

Gabriel Escobar porosi për Albin Kurtin: Asociacioni duhet të formohet

Në një konferencë për media nga Ambasada e ShBA’së në Beograd, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, përfshirë edhe formimi i Asociacionit.

Këtë deklaratë Escobar e ka dhënë pas takimit që zhvilluan mbrëmë ai e Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

I dërguari amerikan tha se dialogu duhet të vazhdojë dhe se shpreson në gjetjen e një zgjidhje për targat e dokumentet serbe deri në fund të muajit.

“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit”, ka thënë Escobar në konferencë.

Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të shmangies së tensioneve mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiç janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.

Takimet e tyre janë mbajtur pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës më 31 korrik, meqë serbët lokalë kanë vënë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.