BALLKAN, 25 Gusht 2022, 18:48

Lajçak dhe Escobar: Takimi me Vuçiçin ishte i vështirë

Lajçak dhe Escobar: Takimi me Vuçiçin ishte i

"Takim të vështirë" e kanë quajtur takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, dy zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar më 25 gusht kanë arritur në Beograd.

Lajçak takoi fillimisht presidentin Vuçiç, dhe gjysmë ore më vonë atyre iu bashkua edhe Escobari.

“Pata një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me presidentin Vuçiq. I përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu duhet të zbatohen, përfshirë edhe Marrëveshjen e për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona më vonë sonte”, ka shkruar ai në Twitter.

Pas takimit me Vuçiçin, Escobar ka deklaruar se takimi ka qenë “i vështirë dhe i gjatë”.

"Ne vlerësojmë angazhimin e presidentit për paqen dhe stabilitetin. Do të vazhdojmë bisedimet", tha Escobar.

Takimi i tyre i parë në Beograd ishte me drejtorin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Peter Petkoviq.

Lajçak dhe Escobar për dy ditë kanë qëndruar në Kosovë, ku janë takuar me liderë institucionalë dhe të partive opozitare.

Paraditen e 25 gushtit ata u takuan edhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Mitrovicën e Veriut.

Lajçak tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.

Qëllim i vizitës së tyre u tha të jetë shmangia e përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Disa serbë në veri u rebeluan më 31 korrik, pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për riregjistrimin e makinave të tyre - nga targat që i lëshon Serbia me targa të Kosovës - si dhe për lëshimin e dokumenteve të Kosovës për të gjithë serbët që hyjnë në Kosovë.

Pas tensionimit të situatës dhe sugjerimit të bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e shtyu zbatimin e vendimeve të saj për 1 shtator. /REL