BALLKAN, 24 Gusht 2022, 18:19

Lajçak: Jemi në Kosovë sepse nuk duam të përsëritet ajo që ndodhi në korrik

Lajçak: Jemi në Kosovë sepse nuk duam të

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për mediat kosovare pas takimeve të sotme, fillimisht me presidenten Vjosa Osmani dhe më pas edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak ka thënë se përmes vizitës në Kosovë bashkë me emisarin amerikan Gabriel Escobar kanë dashur të dërgojnë mesazhin se ka unitet mes Brukselit dhe Washingtonit dhe se komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar me atë që ndodhi më 31 korrik të këtij viti.

Ai ka thënë se pritet që bashkë me liderët e Kosovës dhe Serbisë të mos lejojnë të përsëritet në prag të muajit shtator ajo që ndodhi në muajin korrik në veri.

“Mesazhi më i rëndësishëm është se jemi këtu me Gabriel Escobarin pikë së pari për të treguar se uniteti midis BE-së dhe SHBA-së është i plotë dhe nuk mund të jetë më i mirë. Ne po punojmë së bashku sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe së dyti, komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar lidhur me atë që pamë në terren më 31 korrik. Dhe pritet nga ne së bashku, ne si negociatorë dhe nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht dhe prandaj jemi këtu”, ka deklaruar Lajçak pas takimeve./Express/