BALLKAN, 10 Prill 2026, 16:11

Serbia rrezikon të humbasë rreth 1.5 miliardë euro fonde nga BE, Marta Kos: Të shqetësuar për ndërhyrjet në gjyqësor dhe shtypjen e protestave!

Serbia rrezikon të humbasë rreth 1.5 miliardë euro fonde nga BE,

Serbia përballet me humbjen e deri në 1.5 miliardë eurove nga fondet e BE-së, ndërsa Komisioni Europian po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së procesit të reformës për shkak të prapambetjes demokratike dhe lidhjeve të ngushta të vendit me Rusinë, raporton Politico.

Komisionerja për Zgjerim e BE, Marta Kos tha për Politico se Unioni është i shqetësuar për ndërhyrjet që minojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor në Serbi, në median e pavarur si dhe shtypjen e valës së madhe të protestave.

“Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi. Nga ligjet që minojnë pavarësinë e gjyqësorit te shtypja e protestuesve dhe ndërhyrja e përsëritur në median e pavarur. Komisioni po vlerëson nëse vendi ende i plotëson kushtet për “pagesa sipas instrumenteve financiare të BE-së”, tha ajo.

Katër zyrtarë të BE-së thanë se presioni brenda Komisionit janë shtuar javët e fundit për të mbajtur paratë. BE-ja ka kritikuar publikisht reformat gjyqësore të nxitura nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, qeveria e të cilit është përballur me protesta të gjera kohët e fundit.

Më herët, Kos kritikoi publikisht paketën ligjore për të ristrukturuar gjykatat dhe për të ndryshuar mënyrën e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke theksuar se ishte një “hap serioz prapa” për Serbinë.

BE-ja është ofruesi më i madh i mbështetjes financiare për Serbinë dhe ka ndarë më shumë se 586 milionë euro në grante të pakthyeshme nga viti 2021 deri në vitin 2024.

Ajo ka vënë në dispozicion deri në 1.5 miliardë euro më shumë, të kushtëzuara nga reformat. Sipas qeverisë serbe, vendi ka marrë më shumë se 7 miliardë euro në fonde dhe investime nga BE-ja që nga viti 2000.