BALLKAN, 6 Prill 2026, 13:55

Kreu i LDK-së zbardh takimin me Kurtin: Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje për çështjen e presidentit

Kreu i LDK-së zbardh takimin me Kurtin: Po përpiqemi të

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar të hënën se ende nuk është arritur një marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, por palët vazhdojnë takimet për të gjetur një zgjidhje konsensuale.

“Po provojmë të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, konsensuale, me takime. Kjo është rruga që duhet ndjekur përpara. Do ta ndjekim këtë rrugë sa herë që mundemi për t’i shmangur zgjedhjet,” tha Abdixhiku pas një takimi pothuajse dyorësh me Kurtin në ambientet e Kuvendit.

Ai shtoi se LDK-ja dhe LVV-ja nuk kanë arritur ende të diskutojnë emra konkretë për pozitën e presidentit, duke theksuar se “jo të gjitha pozitat shtetërore mund t’i takojnë një partie politike”. Sipas Abdixhikut, në proces janë dy kandidatë, njëri nga LVV-ja dhe tjetri nga LDK-ja.

Takimi u zhvillua pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill, dhe ushtruese e detyrës është bërë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, sipas Kushtetutës.

Për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 vota në Kuvend, ndërsa LVV-ja ka 57 ulëse, gjë që e bën të pamundur zgjedhjen pa mbështetje nga partitë opozitare. Më herët, LVV-ja ka propozuar dy emra për këtë pozicion, por mungesa e kuorumit ka bllokuar procesin.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar 28 prillin si afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit, përndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme brenda 45 ditësh. Ndërkohë, partitë kryesore ende nuk kanë arritur konsensus.