BALLKAN, 31 Maj 2022, 20:24

Rusia shpall "non grata" një diplomat të Malit të Zi

Rusia shpall "non grata" një diplomat të Malit të Zi

Rusia ka shpallur non grata një punonjës të Ambasadës së Malit të Zi në Moskë, njofton Ministria e Jashtme ruse.

“Ambasadori i Malit të Zi në Rusi, Millorad Scepanoviq, është ftuar në takim nga Ministria e Jashtme më 31 maj dhe i është dorëzuar një njoftim që një punonjës i ambasadës është shpallur person i padëshiruar”, u tha në deklaratë.

Këtë vendim, Rusia tha se e mori në përgjigje të “vendimit të pabazë” të Malit të Zi, që më 7 prill dëboi disa diplomatë nga Ambasada ruse në Podgoricë dhe i shpalli persona të padëshiruar.

Mali i Zi ka dëbuar katër diplomatë rusë në prill. Ky shtet po ashtu ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ushtarak ndaj Ukrainës, shkruan REL.

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, duke thënë se me këtë veprim po ruan “interesat vitale” të shtetit.