BALLKAN, 7 Tetor 2024, 15:35

Qeveria e Kosovës rrit me 20 për qind pensionet për 304 mijë pensionistë

Qeveria e Kosovës rrit me 20 për qind pensionet për 304 mijë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha sot se nga ky muaj janë rritur pensionet me 20 për qind.

Kurti përmes një konference për media ka bërë të ditur se pensionet që do të rriten nga muaji tetor do t’i përfshijë të gjitha kategoritë e pensioneve.

“Duke filluar nga ky muaj do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet: pensioni bazik i moshës, pensioni kontribut – pagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni për personat paraplegjik dhe tetraplegji, pensioni familjarë, pensioni invalidor i punës, dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se nga janari i vitit 2025 do të rriten për 20 për qind pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

Sipas të dhënave të prezantuara në konferencë, pensioni bazik i moshës do të rritet nga 100 në 120 euro.

Pensioni për kategorinë e kontributpaguesve I do të rritet nga 182 në 218.40 euro, ndërsa për kategorinë kontributpagues II, nga 198 në 237.60 euro.

Kategoritë tjera si kontributpagues III dhe IV do të përfitojnë gjithashtu rritje përkatësisht nga 214 në 256.80 euro dhe nga 265 në 318 euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për media së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ka bërë të ditur se nga ky muaj pensionet do të rriten për 20 për qind.

“Është një lajm mjaft i mirë për të gjithë pensionmarrësit, sepse për të gjithë rritja do të jetë prej 20%, pra ato pensione që rregullohen sipas skemave dhe ligjit për pensionet e financuara nga shteti rritja do të filloj të zbatohet nga ky muaj”, tha Murati.

Ai shtoi se e ndryshimet e nevojshme edhe të shtojcës së ligjit përkatës për kategoritë e luftës, do të filloj rritja edhe për ato kategori të pensioneve nga janari i vitit që vjen.

“Ky ndryshim prek 304016 përfitues, ndërkaq impakti i tërësishëm buxhetor parashihet të jetë në shumën prej 100 milionë euro shtesë që do të alokohen për këtë rritje të pensioneve”, tha Murati.

Ministri i Financave tha se kjo rritje po bëhet falë politikave të mirëmenduara dhe rritjes së të hyrave.

“Falë pjekurisë dhe maturisë që kemi treguar sa i përket politikave fiskale kemi arrit ti bindim FMN që ky është veprimi i duhur që të shkojmë me një kapërcim prej 20%”, tha Murati.

Pra rritjen prej 20% nga ky muaj do ta përfitojnë të gjithë ata që janë pensionmarrës të: pensionit bazik të moshës, kontibutpagues i plotë dhe parcial, për aftësi të kufizuara për fëmijë dhe për të rritur, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.

Ndërkaq pensionet e përcaktuara në Ligjin për kategoritë e luftës, ku hyjnë familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre, këtë rritje do ta përfitojnë nga janari i vitit që vjen.