TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kuvendi i Kosovës vijon që të jetë jo funksional. Edhe në këtë seancë dështoi votimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ashtu si herët e kaluara, shkak është bërë mungesa e kuorumit.
Vetëm 71 deputetë morën pjesë në votimin e marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Kuorum nuk pati as për marrëveshjen për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore. Në mungesë kuorumi ka dështuar edhe ratifikimi i marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, njoftoi se ka dështuar edhe miratimi i disa amendamendeve.
“Me sa po e kuptojë gjendjen brenda grupit të mazhorancës, së paku tre deputetë nuk do të votojnë asgjë, asnjë projektligj. Kështu që nuk ka kuorum Kuvendi për të vazhduar. Caktojmë ndonjë ditë një seancë tjetër, me gjasë javën e ardhshme”, tha kreu i Kuvendit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, arsyetoi bojkotimin e votimit.
“Sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkova që të mos vazhdohet me seancë pa u kthyer në shkollë një vajzë mbi 18 vjeçare, e cila është larguar padrejtësisht që nga 1 shtatori. Udhëzimi administrativ është i jashtëligjshëm, qeveria është përgjegjëse për ndryshimin e tij”, deklaroi Korenica.
Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum gjithashtu edhe për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.