BALLKAN, 16 Tetor 2022, 15:31

Përmbytjet “biblike” në Kretë, shkon në dy numri i viktimave! Gjendet e pajetë gruaja e zhdukur ditën e djeshme

Përmbytjet “biblike” në Kretë, shkon në dy numri

Ka shkuar në dy numri i viktimave në ishullin e Kretës, pas përmbytjeve masive dhe stuhisë që “mbërtheu” Greqinë ditën e djeshme.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat greke, sipas të cilave viktimat janë regjistruar në rajonin Heraklion.

Viktima e parë u shënua gjatë ditës së djeshme, i cili ishte një 50-vjeçar që u gjet i pajetë në resortin turistik të Agia Palagia, pasi mbeti i bllokuar në makinën e tij, e cila u mbulua nga uji i rrëmbyeshëm.

Pasagjerja që ndodhej me të, 49-jeçarja që ishte nënë e dy fëmijëve, u zhduk dhe mëngjesin e sotëm zjarrfikësit e gjetën trupin e saj në det.

Sipas transmetuesit televiziv shtetëror ERT, të dy ishin nisur për në Heraklion për punë. Reshjet e dendura dhe stuhia e fortë kanë përfshirë ishullin që prej mëngjesit të ditës së djeshme dhe mbrojtja civile greke i ka kërkuar popullatës që të qëndrojë vigjilente edhe në ishujt përreth si në Rodos, Karpathos Kastelorizo dhe Kasso.