BALLKAN, 7 Shtator 2023, 15:14

Pas takimit me Vjosa Osmanin, Stoltenberg mesazh të prerë: Thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm në Veri

 Pas takimit me Vjosa Osmanin, Stoltenberg mesazh të prerë:

Pas takimit të zhvilluar sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh në konferencën për shtyp se për aleancën veri-atlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë në veri të Kosovës.

Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR në veri të Kosovës, më muaj më parë, ka qenë e papranueshme. Sipas tij, stabiliteti i rajonit varet nga të gjitha palët.

“Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negocimin me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave policore të Kosovës që mund të ketë ndikim në siguri”.

Ai e ka përmendur që pas trazirave të fundit në veri, NATO-ja e ka rritur prezencën në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën nga afër dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse kërkohet për ta përmbushur mandatin e Kombeve të Bashkuara, për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Në selinë e NATO-s, Osmani do të ketë edhe takime të tjera, përfshirë me shefin e komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer. E para e shtetit po ashtu do të takohet me shefen e misionit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith dhe me përfaqësues të shteteve të tjera anëtare të aleancës ushtarake perëndimore.