BALLKAN, 6 Shtator 2023, 21:22

Pendarovski tërheq deklaratën e ashpër kundër Kurtit: S’ka thënë asgjë kundër maqedonasve, nuk e keqpërdori vizitën në Çair dhe Tetovë

Pendarovski tërheq deklaratën e ashpër kundër Kurtit:
Kurti dhe Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka komentuar përsëri vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Tetovë dhe Çair.

Pendarovski për gazetën “Koha”, ka thënë se kryeministri Kurti nuk e ka keqpërdorur asnjë sekondë vizitën e tij.

Ai tha se Kurti ka nderuar qytetin e Shkupit, duke përuruar rrugën e Adem Demaçit, mentorit të tij politik.

“Unë nuk kam asnjë problem ta kuptoj logjikën e Albin Kurtit për vizitën e tij. Edhe unë nëse do të isha në vendin e tij do të vija. Ai ka ardhur këtu të bëjë nderë për një rrugë që e emëruam me shumë mundësi të mentorit të tij më të madh politik, Adem Demaçit. Por ikonografia, e cila shihej pas paraqitjes së tij, ishte irrituese dhe në këto konstelacione në të cilën ka ndenja dhe emocione të nxehta mes shqiptarëve dhe maqedonasve, sidomos në dy vitet e fundit, për atë që po ndodh më bullgarët, bllokadat drejt BE-së, demonstratat, mitingje për atë arsye kështu me radhë” ka thënë Pendarovski.

“Kurti në paraqitjet e tij në Tetovë dhe në Çair nuk tha asnjë fjalë kundër Maqedonisë dhe kundër popullit maqedonas. Ai në asnjë sekondë nuk ka keqpërdorur mikpritjen këtu”, tha ndër tjera presidenti i Maqedonisë se Veriut.

Më 13 gusht, Pendarovski kërkoi sanksionimin e drejtuesve të komunës së Çairit dhe Tetovës, për siç tha, “provokimet nacionaliste që propozojnë ide shoviniste të shteteve të mëdha” gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht në Tetovë dhe Çair të Shkupit.

Kryeministri Albin Kurti qëndroi në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami. Kurti mori pjesë në përurimin e një rrugë me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë mori pjesë në lëshimin në përdorim të një rruge në Malësinë e Tetovës.

Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës folën edhe mbi nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometra, që do të lidhte Tetovën me Prizrenin. Kurti ishte pritur me ikonografi shqiptare, flamuj e simbole tjera kombëtare shqiptare.

“Vendosja e ikonografisë provokuese nacionaliste, që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha, paraqet nxitje të urrejtjes dhe jotolerancës etnike, nga të cilat pa mëdyshje goditen parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, tha në reagimin e tij presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski. 

Ai reagoi edhe për “mosrespektimin e Ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Maqedonisë së Veriut”.

“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, i bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë të kryejnë procedurat e parapara”, thuhet në reagimin e Pendarovskit, i cili ngriti dilema edhe për shkeljen e procedurave për emërtimin e rrugës në Çair me emrin e Adem Demaçit.

“Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit bie ndesh me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në shtet. Në këtë kuptim, pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë me rastin e marrjes së vendimit, ku duhet të përfshihen edhe votat e komuniteteve që nuk janë shumicë në atë komunë”, tha në një reagim me shkrim presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, më 13 gusht.