BALLKAN, 7 Shtator 2023, 12:36

36-vjeçari u hodh në det nga oficerët e anijes dhe gjeti vdekjen, grekët të indinjuar, nisin protestat

36-vjeçari u hodh në det nga oficerët e anijes dhe gjeti

Indinjatë të thellë në mbarë opinionin publik grek ka shkaktuar vrasja e Andonis Kariotis, 36-vjeçarit nga Kreta që e hodhën në det oficerët e anijes “Blue Horizon”, kur u përpoq të ngjitej në anije, pak sekonda pasi ajo u nis me 550 pasagjerë nga porti i Pireut me destinacion Portin e Iraklio, Kretë, mbrëmjen e 5 shtatorit.

Detaje të rënda të ngjarjes publikohen vazhdimisht dhe shtojnë akoma më shumë indinjatën e reagimit masiv të ditëve të fundit.

36-vjeçari që mesa duket kishte përqindje invaliditeti, një njeri tepër i varfër, që bënte punë të vogla për mbijetesë, jetonte në shtëpi të komunës për shtresat e varfra, kohët e fundit kishte humbur nënën, mbështetjen e tij, ndërsa i pëlqente të vizitonte Athinën sa herë siguronte paratë e duhura për biletën.

Viktima ishte i njohur te të gjithë banorët e Agios Nikolaos Lasithi Kretë si një njeri tepër i dashur e punëtor, por edhe nga personeli i anijeve të linjës Kretë-Athinë që bënte sa më shpesh mundej. Këto të dhëna kanë bërë akoma më tragjike ngjarjen, duke shkaktuar shumë pikëpyetje për sjelljen e egër kriminale nga 2 oficerët e anijes ndaj 36-vjeçarit, si dhe njoftimin e thatë për pasagjerët “anija u vonua të niset nga porti i Pireut për shkak të një pengese të shkaktuar nga faktorë të jashtëm, pa lidhje me funksionim tonë”.

Për ngjarjen kriminale janë pozicionuar ministra dhe vetë kryeministri Mitsotakis, duke e konsideruar krim monstruoz. Katër të arrestuarit, mes tyre kapiteni i anijes dhe tre oficerë kanë marrë afat shfajësimi ditën e shtunë, ndërsa përballen me akuza tepër të rënda, që parashikojnë dënim burgim të përjetshëm.

Anëtarët e ekuipazhit, teksa 36-vjeçari tentoi të hipte në anije pak minuta para nisjes, ata nuk e lejuan, përkundrazi e shtynë dy ose tre herë ndërsa ai tashmë ishte ngjitur në katapultë, si pasojë i riu fatkeq u gjend në det dhe gjeti vdekjen tragjike. Në kujtim të Antonis Kariotis dje është penguar të largohet nga porti i Iraklios anija e itinerarit “Blue Horizon”.

Disa protesta paqësore janë kryer në Pire, Selanik dhe Kretë, ndërsa vijon të jetë në vijën e parë të lajmeve dhe interesit publik, pavarësisht situatës emergjente që shkaktoi fenomeni “Daniel”.