BALLKAN, 16 Qershor 2026, 16:33

"Merr lëndë narkotike"/ E besuara e Albin Kurtit sulmon Përparim Ramën. Kush është Dejona Mihali, akuzat për kontrollin e LVV-së dhe lidhjet me Greqinë

"Merr lëndë narkotike"/ E besuara e Albin Kurtit sulmon

Rritja e numrit të aksidenteve në Rrugën e Kombit përtej kufirit të Shqipërisë, ka sjellë përplasje të ashpra mes kryebashkiakut të Prishtinës, Përparim Rama, nga radhët LDK-së dhe njerëzve të afërt të kryeministrit Albin Kurti.

Gjithçka nisi pas një statusi të kryebashkiakut në Facebook ku akuzonte kreun e qeverisë për mosmarrjen e masave për parandalimin e aksidenteve apo tenderat korruptivë. "Dje Kosova u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë. Sot u zgjua me lajmin se heqja e atij dheu, do t’u kushtojë qytetarëve 4.67 milionë euro.

Një tjetër ditë ku qytetarët paguajnë çmimin me jetë dhe me taksa, ndërsa pushteti vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet. Një pushtet që investon më shumë në propagandë sesa në zgjidhjen e problemeve reale nuk përfaqëson ndryshimin që premtoi. Ai përfaqëson arrogancën, paaftësinë dhe kulturën e justifikimeve të pafundme, ndërsa pasojat i paguajnë qytetarët me jetën e tyre dhe me taksat e tyre”, shkruan Rama. Por përgjigjja në emër të qeverisë nuk ka ardhur as nga kryeministri Kurti dhe as nga ministrat e kabinetit të tij, por nga Dejona Mihali, një personazh shumë i afërt me kreun e qeverisë, megjithatë pa asnjë post zyrtar.

Ajo përmes llogarisë së saj në rrjetet sociale akuzon Ramën se po përdor tragjedinë për politikë, teksa e akuzon atë edhe për marrje të lëndëve narkotike. “Paske përdorur një tragjedi për të zhgarravitur prapë me chatgpt. Përparim Rama, ti narkotikun si e merr? Me kontratë njëburimore apo me ofertën me çmimin më të lirë, nga tre ofertat? Hera-herës kur përfundon emergjencave duket se me çmimin më të lirë. Ps. Minjtë vijojnë nëpër lagjet e kryeqytetit, bashkë me plehrat. Kryetari jo, po Përpamiu”, shkruan Mihali.

E lindur në Tiranë dhe e aktivizuar me Lëvizjen Vetëvendosje, ajo nuk ka asnjë post zyrtar në Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, në qarqet e Prishtinës, ajo njihet si një personazh shumë i afërt i kryeministrit, Albin Kurti dhe një prej njerëzve që ka në dorë emërimet në poste të rëndësishme. Emri i saj u bë veçanërisht i njohur pasi ish-deputeti Haki Abazi tha se ajo kishte rol shumë të madh në kontrollin e grupit parlamentar të LVV-së. Një tjetër akuzë që i është bërë ndër vite ka qenë edhe ajo e lidhjeve të afërta me Athinën zyrtare. Ajo është akuzuar si ‘filogreke’ nisur nga fakti se i ati ka kombësi greke. Gjithashtu asaj i janë përmendur edhe lidhjet dhe marrëdheniet e punës me politikanin grek Nikos Dendias.