BALLKAN, 15 Shkurt 2022, 16:03

Ligji i pagave shkakton ‘furtunë’ në Kosovë, ja sa pritet të marrin nga presidenti, kryeministri e deputetët. Paralajmërohen trazira sociale

Ligji i pagave shkakton ‘furtunë’ në Kosovë, ja sa

Presidenti i Kosovës do të ketë pagën më të lartë në vend, ndër funksionarët publikë, bazuar në draftin që ka përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme, për Ligjin për pagat. Edhe pse s’është caktuar vlera e koeficientit, në listën e siguruar nga KOHA, presidenti ka vlerën më të lartë të koeficientit, 20.

Kryetari i Kuvendit dhe kryeministri pasojnë listën me koeficient 19. Bashkë me ta është edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese në vlerë të njëjtë.

Nënkryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari i Kushteuteses kanë koeficient 17, ndërsa deputeti, ministri e gjyqtari i Kushtetueses me koeficient 16.

Ligji për Paga pritet të shkojë në Kuvend nga Qeveria në muajin mars. Ende pa u bërë publik, ndaj tij ka pasur reagime e kundërshtime nga disa sindikata që i kanë vlerësuar të padrejtë koeficientet për ta, shkruan koha.net

Mediat: Albin Kurtit do t’i rritet paga nga 1500 në 2280 euro

Gazeta Blic ka publikuar një kopje të këtij projektligji, ku Kryeministri i Kosovës do të ketë koeficientin e pagës 19.

Vlera e një koeficienti ende nuk është saktësuar në projektligj, por Gazeta Blic mëson se ajo do të jetë 120. Pra, nëse shumëzohet koeficienti i pagës, 19, me vlerën monetare të tij, 120 euro, atëherë paga bazë e Kryeministrit Kurti do të jetë 2,280 euro, pa përfshirë këtu shtesat tjera. Paga e tij do të rritet për 780 euro.

Vlerë të njëjtë të pagës pritet ta kenë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Presidenti i Kosovës do të qëndrojë më lartë për një koeficient, pra me pagën në vlerën 2,400 Euro.

Paralajmërohen trazira sociale

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që ta publikojë sa më shpejt draft-Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit, me qëllim të shmangies së keqkuptimeve për këtë proces.

FSSHK-ja po ashtu ka bërë të ditur se nuk ka marrë pjesë në hartimin e draftit të këtij ligji, derisa ka paralajmëruar se nëse koeficienti shkon në dëm të punëtorëve shëndetësor, trazirat sociale janë të pashmangshme.