BALLKAN, 19 Korrik 2022, 16:22

Kuvendi i Maqedonisë miraton rishikimin e buxhetit, më shumë para për pensionet dhe masat anti-krizë

Kuvendi i Maqedonisë miraton rishikimin e buxhetit, më shumë para

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 61 vota pro miratoi propozim rishikimin e buxhetit për vitin 2022.

Hyrjet e përgjithshme në Buxhetin për vitin 2022 janë përcaktuar në vlerë prej 245.8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë 288.5 miliardë denarë.

Deficiti buxhetor është planifikuar në nivel prej 42.7 miliardë denarë, respektivisht 5.3% të PBB-së, që është më i ulët se vitin e kaluar.

Me anë të rishikimit sigurohen mjete për rritjen e pensioneve, kategorive të ndjeshme të qytetarëve, rritjen e pagave në veprimtari të caktuara në sektorin publik, mjete për kompanitë për përkrahjen e rritjes së pagave në sektorin privat, mjete shtesë për bujqit për rritjen e rendimenteve dhe stabilizimin e çmimeve të ushqimeve, si dhe masa të reja antikrizë për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe mbrojtjen e ekonomisë nga goditjet e krizës aktuale të çmimeve.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, duke arsyetuar rishikimin e buxhetit në Kuvend, theksoi se duhet të arrihen dy qëllime shumë të rëndësishme, të ruhet stabiliteti makroekonomik, i cili është thelbësor për rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të çdo ekonomie, dhe së dyti, të përkrahim rikthimin e ekonomisë në nivelin para pandemisë, si dhe sigurinë sociale për qytetarët.

Te transfertat rrjedhëse bëhet korrigjim në rritje për rreth 19 miliardë denarë.

Këtu planifikohen mjete për masa antikrizë, si dhe masa të tjera për përkrahje të targetuar për tejkalimin e krizës.

Në kuadër të këtyre mjeteve financiare planifikohet përkrahje financiare shtesë në vlerë prej 4.7 miliardë denarëve për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive në kushte të zgjatjes së krizës në tregun botëror të energjencave dhe produkteve bazë.