BALLKAN, 4 Qershor 2023, 16:57

Kurti mbron kryetarin shqiptar të komunës së Leposaviqit: Po i bëhen çdo ditë dhjetë kërkesa për të dalë prej zyrës, është vëllai i dëshmores së UÇK-së

Kurti mbron kryetarin shqiptar të komunës së Leposaviqit: Po i
Fotomontazh: Kurti dhe Hetemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ndaj kryetarit të Leposaviqit Lulzim Hetemi po bëhet presion për të dalë prej zyrës së kryetarit të komunës.

Kurti në Facebook ka shkruar se Hetemi çdo ditë merr rreth dhjetë kërkesa në ditë për të lëshuar zyrën.

“Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, për çdo ditë i merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve që ky të dalë prej zyres së tij. Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo më të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës”.

Lexo po ashtuHaziri: Kriza në veri të vendit, e shtata e prodhuar në mandatin e Kurtit

Kryeministri ka kujtuar se kryetari i Leposaviqit është vëllai i dëshmores Fatime Hetemi, derisa ka felenderuar atë për qëndresën e tij për të zbatuar ligjin në Kosovë.

“Lulzim Hetemi është vëllau i dëshmores Fatime Hetemi (që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998)”.

“E falënderoj Kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”, ka shkruar tutje Kurti.

Ndërkohë, diplomacia perëndimore ka vazhduar thirrjet që Kosova dhe Serbia të marrin veprime për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës kur për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shkroi të shtunën në rrjetet sociale se ka biseduar për këtë çështje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e inkurajuar “të nxisë qetësinë mes serbëve të Kosovës, të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.