BALLKAN, 11 Prill 2026, 10:07

Kosovë/ Ky është i riu që qëlloi me armë të dashurën në Ferizaj dhe më pas vrau veten (EMRI)

Kosovë/ Ky është i riu që qëlloi me armë të

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Ferizaj, ku një i ri ka plagosur me armë zjarri një vajzë dhe më pas ka qëlluar veten.

Bëhet fjalë për Valon Krasniqin, rreth 32-vjeç, i cili dyshohet se ka shtënë me armë ndaj L. U., rreth 24-vjeçare në një farmaci në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, kur viktima kishte hyrë në farmaci dhe kishte kërkuar ndihmë nga stafi, duke njoftuar se personi që ishte me të kishte armë.

Ndërkohë, i dyshuari kishte hyrë brenda dhe kishte tentuar ta marrë me forcë viktimën, por pasi ajo kishte refuzuar, ai kishte dalë jashtë, kishte marrë armën nga automjeti i tij dhe kishte shtënë në drejtim të saj.

Viktima ishte plagosur në këmbë dhe kishte arritur të strehohej në depon e farmacisë, mirëpo i dyshuari e kishte ndjekur dhe kishte shtënë edhe një herë në drejtim të saj.

Menjëherë pas kësaj, ai kishte qëlluar veten në kokë me të njëjtën armë.

Të dy janë dërguar në urgjencë në Ferizaj dhe më pas në QKUK në Prishtinë, ku sipas mjekëve, viktima është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari ka ndërruar jetë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur arma e përdorur, gëzhoja dhe prova të tjera materiale, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e hetimeve dhe hetimet rajonale, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori i shtetit.

Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.