BALLKAN, 3 Shtator 2022, 08:52

Gazetari shqiptar në Beograd: Rama, 'yll' i mediave serbe pasi lavdëroi Vuçiçin për marrëveshjen me Kosovën

Gazetari shqiptar në Beograd: Rama, 'yll' i mediave serbe pasi

Gazetari shqiptar në Beograd, Idro Seferi, ka treguar për takimin që kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç patën në kryeqytetin e Serbisë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. 

Ai tha se në këtë takim u bë një promovim i madh i ushqimeve, verërave dhe prodhimeve që vijnë nga shtetet pjesëmarrëse të iniciativës “Ballkani i Hapur”, teksa shtoi se ishte kryeministri shqiptar ai që e lavdëroi presidentin serb për marrëveshjen me Kosovën.

“Rama tha se kjo iniciativë nuk do të thotë që i zgjidh të gjitha problemet, por është një fillim madje lavdëroi disa herë edhe presidentin Vuçiç për një lëvizje të duhur sa i përket marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë”, ka deklaruar Seferi.

“U tentua të thuhet se ky projekt është i vetmi i cili mund ta afrojë Ballkanin mes vete ku pati serish ftesa për shtetet që s’janë pjesë. Ishte edhe vizita e Abazaviç i cili është në mandat teknik, por nuk dihet nëse Mali i Zi do të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur”, ka shtuar gazetari për klan kosova.

Më tej ai tha se miqësisë mes Shqipërisë dhe Serbisë në shtypin serb iu bë një promovim i madh.

“Edhe fjalimeve të Ramës i është dhënë një hapësirë e madhe në mediat serbe, deri te citimi i tij në shumicën e mediave. Është një tentim i promovimit të Vuçiq si një lider i serbëve i cili do të ngelet si historik në krijimin e një Serbie të re e cila do të jetë e fuqishme në rajon dhe zakonisht edhe kur bën politikën e tij, Vuçiç paraqitet si i sulmuar për shkak se po krijon e po ndërton shumë në Serbi”, ka theksuar tutje Seferi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po vazhdon të qëndrojë në Beograd. Mbrëmë kreu i qeverisë shqiptare ishte duke shijuar momente relaksi buzë lumit Sava, bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka publikuar një foto me Ramën në rrjetin social Instagram, duke thënë se po ndihet krenar për miqësinë që e kanë krijuar me Shqipërinë gjatë viteve të fundit.

“Krenar për ‘Beogradin në ujë’ dhe miqësinë me Shqipërinë që kemi krijuar gjatë viteve të fundit”, shkroi Vuçiq.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Aleksandar Vučić (@buducnostsrbijeav)

Rama po qëndron në Beograd, ku po mbahet samiti i radhës të “Ballkanit të Hapur” e ku priten të firmosen disa marrëveshje mes tre liderëve kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në fjalimin e tij, Rama ka thënë se zgjidhja e lëvizjes së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë me karta identiteti është zgjidhje e Ballkanit të Hapur.

“Dje mund të kishte qenë një ditë krejt tjetër, dita e djeshme tregoi qartë se cila është zgjidhja e Ballkanit të Hapur”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, nëse Kosova do ishte pjesë e Ballkanit të Hapur, nuk do kishte nevojë për gjithë ato tensione.

“Dje mund të kishte qenë një ditë tjetër, ku mediat tona dhe të Evropës të ishin të mbushura me lajme për atë që ndodh në kufirin në mes të Serbisë dhe Kosovës”.

Gjithashtu, Rama ka deklaruar se “Ballkani i Hapur”, i tejkalon barrierat ekonomike e politike, sipas tij, kjo iniciativë është “një projekt paqeje”.