BALLKAN, 11 Korrik 2026, 22:27

“Edhe rrugët flasin shqip” - BDI del sërish në protestë në Tetovë kundër vendimit të Kushtetueses

“Edhe rrugët flasin shqip” - BDI del sërish në

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka organizuar sot sërish protesta në Tetovë, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave në gjuhën shqipe të rrugëve dhe shesheve në këtë komunë.

Protestuesit u nisën nga sheshi “Iliria” para objektit të Komunës së Tetovës, ku vendosën pankarta me mesazhe si: “Edhe rrugët flasin shqip” dhe “Historia nuk abrogohet”. Në protestë u kërkua edhe dorëheqja e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Kryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, para nisjes së protestës deklaroi se Komuna e Tetovës ka penguar qytetarët që të marrin pjesë në tubimin e dytë kundërshtues.

Rexhepi tha se veprimet e mëtejshme të partisë do të varen nga reflektimi i Komunës së Tetovës lidhur me këtë çështje.

“Shihni një mal me njerëz të cilët janë duke treguar mllefin ndaj kthimit të emrave të vjetër të rrugëve të Komunës së Tetovës. Ajo që na ka befasuar është se si Komuna e Tetovës po mundohet të pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë. Kemi njoftuar policinë për protestën, por edhe korin diplomatik në Shkup, të cilët janë duke e monitoruar protestën. Protestat do të vazhdojnë dhe ato varen nga reflektimi që do të tregojë Komuna e Tetovës”, tha Rexhepi.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga BDI në Tetovë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e emrave të rrugëve dhe shesheve të miratuara nga Komuna e Tetovës.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ditë më parë shfuqizoi vendimin e Komunës së Tetovës të vitit 2007 për riemërtimin e rrugëve dhe shesheve, me arsyetimin se për këtë proces nuk ishte marrë pëlqimi i nevojshëm nga Qeveria.