BALLKAN, 11 Korrik 2026, 17:31

Vuçiç kundërshton dënimin e patriarkut Porfirije nga një gjykatë sllovene: Ai mund të krenohet me këtë vendim, tregon sa i rëndësishëm është për popullin serb

Vuçiç kundërshton dënimin e patriarkut Porfirije nga

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e kundërshtoi vendimin e një gjykate në Slloveni ndaj kreut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, përmes së cilit ai u dënua me katër muaj burgim me kusht.

Kisha Ortodokse Serbe tha të premten se vendimi i gjykatës është “skandaloz”, pa specifikuar se për çfarë vepre ishte dënuar patriarku serb. Transmetuesi publik slloven, Radiotelevizioni i Sllovenisë, raportoi në mars se Prokuroria Themelore e Lubjanës kishte ngritur aktakuzë ndaj patriarkut të KOS-it për keqtrajtim të një prifti në vendin e punës.

Vuçiç tha se patriarku Porfirije në Slloveni është dënuar “për diçka që nuk e ka bërë kurrë”, por se kjo, sipas tij, “tregon qëndrimin ndaj Kishës Ortodokse Serbe si shtyllë e shoqërisë serbe”, raportoi agjencia Beta.

“Sipas gjykimit tim, patriarku Porfirije mund të krenohet edhe me këtë vendim, sepse ai tregon sa i rëndësishëm është për popullin serb dhe çfarë mendojnë për të të gjithë ata që nuk e duan popullin serb”, tha Vuçiç gjatë një vizite të punimeve në ndërtimin e një segmenti rrugor afër Leskovcit.

Vuçiç shtoi se kjo “mund t’i japë patriarkut serb aureolën e një viktime dhe martiri, si dhe forcë edhe më të madhe nga populli të cilit i shërben me besnikëri”.

Porfirije ishte në krye të Mitropolisë së Zagrebit dhe Lubjanës të Kishës Ortodokse Serbe nga viti 2014 deri në vitin 2021, kur u zgjodh patriark./ REL