BALLKAN, 7 Korrik 2026, 17:31

“Nuk ka anëtarësim pa reforma”/ Terras në Kosovë, Haxhiu i kërkon statusin e vendit kandidat

“Nuk ka anëtarësim pa reforma”/ Terras në

Pa institucione dhe pa qeveri të re, Kosova kërkon anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur këtë të martë në takim eurodeputetin Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Prishtinën nga ku theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme.

Sipas Haxhiut, Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim, edhe pse Brukseli ja ka bërë të qartë Kosovës se nuk ka asnjë hap avancues pa zgjedhur kreun e ri të shtetit dhe pa stabilitet politik.

Terras është pritur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca me në fokus diskutimin për zhvillimet politike në vend dhe procesin e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, ndërsa një ndalesë e ka patur edhe kryetarët e partive opozitare.

Kryetari I PDK Bedri Hamza ndau shqetësimin e shprehur në raport lidhur me pamundësinë e krijimit të institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë.

Ai theksoi se Kosovës i nevojiten institucione funksionale që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe rindërtojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.

Në fund të vizita vetë Terras dha mesazhin e përsëritur se e ardhmja e Kosovës është në BE, por anëtarësimi varet nga reformat.

Kosova është i vetmi vend në rajon pa statusin e vendit kandidat.