BALLKAN, 10 Korrik 2026, 18:14

Kosovë/ Asnjë rezultat pas takimit Hamza-Kurti, PDK mbetet në opozitë! Priten bisedime edhe me Abdixhikun

Kosovë/ Asnjë rezultat pas takimit Hamza-Kurti, PDK mbetet në

Pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se biseda ishte konstruktive, por nuk prodhoi një rezultat konkret për formimin e institucioneve të reja. Hamza, nga ana tjetër, konfirmoi se partia e tij do të mbetet në opozitë, duke shtuar se LVV-ja e ka përgjegjësinë për formimin e institucioneve.

“Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, që t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet”, tha Hamza për gazetarët.

Kurti tha se takimi u zhvillua në mënyrë konstruktive dhe në atmosferë të vullnetit dhe “interesimit për t’i dhënë Kosovës institucione të reja”.

“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që do të mund ta ndaja me ju”, tha Kurti, duke shtuar se takimet kanë për qëllim që vendi të ketë Kuvend, Qeveri dhe president brenda afateve kushtetuese.

Kurti tha se si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të qershorit, përgjegjësia e tij është për formimin e Qeverisë, por përsëriti qëndrimin se për çështjen e presidentit, përgjegjësia është e të gjitha partive.

Ai përsëriti qëndrimin për një figurë konsensuale për postin e presidentit, duke theksuar se një kandidaturë e tillë do të ishte në përputhje me Kushtetutën.

“Ne pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale. Pra, dikush i cili nuk është i asnjë partie politike, dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, dikush i cili ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale, qytetare dhe në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria jonë. Kjo është jo ideja jonë dhe kërkesa jonë, por kjo është fryma dhe germa e Kushtetutës”, tha Kurti.

Sipas tij, LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja së bashku kanë numrin e mjaftushëm që t’i konstituojnë të gjitha institucionet.

Por, Hamza gjatë deklarimit pas takimit tha se përgjegjësia për formimin e institucioneve i takon LVV-së, duke theksuar se të gjitha partitë e tjera nuk mund ta zgjedhin kreun e ri të shtetit pa partinë e Kurtit.

“LVV-ja duhet të gjejë partnerë, sipas nevojave dhe kritereve të saj dhe interesave të tyre për t’i dhënë vendit institucione”, u shpreh Hamza për gazetarët.

Ndërkaq, Kurti u shpreh se me 53 mandate të LVV-së, dhe ato të partive të komuniteteve pakicë joserbe, ai ka mbi 61 votat e nevojshme për Qeverinë, por nuk tregoi nëse menjëherë pas konstituimit të Kuvendit do të procedohet me votimin e ekzekutivit të ri.

“Ne jemi të interesuar që t’i japim kohë diskutimeve, konsultimeve, që legjislatrua të ketë jo vetëm kryetar dhe qeveri, por edhe president”, tha Kurti.

Në orën 18:00 është paraparë takimi me udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Kurtit.

Takimet mes udhëheqësve politikë vijnë dy ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, të cilat u mbajtën pasi muaj më parë, partitë dështuan të arrinin konsensus për presidentin e ri të vendit.

Kurti e ka ftuar në takim edhe kreun e Aleancës, Ardian Gjini, por ai e ka refuzuar ftesën, duke argumentuar se partia e tij veçse i ka paraqitur gjashtë kushte që do të duhej t’i plotësonte Kurti në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve./REL/