BALLKAN, 26 Maj 2023, 17:30

“Dhuna duhet të ndalojë menjëherë në Veri”, SHBA e prerë: Dënojmë aksionin e policisë së Kosovës

“Dhuna duhet të ndalojë menjëherë në Veri”,

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar tensionet që u regjistruan sot në Veri të Kosovës, si dhe ndërhyrjen e  Policisë. Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se dhuna në veri duhet të ndalohet menjëherë.

“SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Dhuna e sotme duhet të ndalohet menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Reagimi i ambasadorit Hovenier vjen pas aksioneve të Policisë së Kosovës në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.

Hyrja e Policisë në objektet komunale është bërë përkundër rezistencës së grupeve të qytetarëve në këto komuna të banuara me shumicë serbe. Policia ka përdorur gazin lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur rreth tyre.