BALLKAN, 31 Korrik 2022, 15:08

Albin Kurti i përgjigjet Vuçiçit: S’ka vend për tension apo destabilizim

Albin Kurti i përgjigjet Vuçiçit: S’ka vend për

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç gjatë një konference për media është shprehur se “po përpiqet që t’u kërkojë të gjithëve, përfshirë serbëve në Kosovë, që të mos bëjnë asgjë që mund të çojë në konflikt”. Ai shtoi se “po u lutet përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për paqe”.

Pas deklaratave të Vuçiç, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili u shpreh se nuk ka vende për tension apo destabilizim.

Ai u shpreh në një konferencë për media se gjithçka do shkojë mirë, ndërsa shtoi se në Serbi ka politikanë e zyrtarë, përfshirë edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, që sipas tij janë “udhëheqës të frikës dhe frikësimit”.

“Nuk ka kurrfarë vendi për tension, nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, barrikada, bllokime, destabilizim, tensione flasin për vete, nuk flasin për neve. Ne jemi Republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë qysh është më së miri. Ndërkaq, edhe një herë i ftoj qytetarët e Kosovës, që kanë targa të kohës së Millosheviçit, që t’i konvertojnë në targa legale me akronimin e vendit tonë, RKS”, tha Kurti.

Reagimi i kryeministrit të Kosovës vjen pasi Vuçiç u shpreh se “ka frikë nga reagimi i serbëve në Kosovë, teksa bëri thirrje për qetësi”.

“Por, unë kërkoj edhe nga përfaqësuesit e vendeve të fuqishme dhe të mëdha që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të marrin parasysh ligjin ndërkombëtar dhe situatën në terren… Ne po bëjmë lutje për paqe dhe kërkojmë paqen. Në rast se do të nisin të persekutojnë serbët, t’i keqtrajtojnë, vrasin, Serbia do të fitojë. Kjo është gjithçka që dua të them. Populli serb po i dëgjon gjithnjë e më pak lutjet tona dhe kërkesa ime edhe sot është që të përpiqemi të ruajmë paqen. Këshilla ime është që të gjithë të jenë të qetë. Çfarëdo që ata [autoritetet në Kosovë] të bëjnë, le të ruajmë qetësinë tonë. Të mos u japim asnjë arsye shqiptarëve që të fillojnë të qëllojnë mbi turmën. Dhe të na japin kohë. Situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e komplikuar. E di që pas shumë dekadash, shumë njerëz as që duan të dëgjojnë për problemet reale me të cilat po përballet vendi dhe populli ynë. Ne kurrë nuk kemi pasur një situatë më komplekse dhe më të vështirë se sa sot”, u shpreh Vuçiç.

Vendimi për targat dhe dokumentet serbe

Ndërkohë nesër hyjnë në fuqi dy vendimet lidhur me targat serbe dhe dokumentet e Serbisë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, institucionet kanë zhvilluar të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve.

Nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia.

Ky dokument, të cilin Serbia po ashtu ua jep shtetasve të Kosovës me të hyrë në territorin e saj, ka vlefshmëri prej 90 ditësh.

Ndërkaq, nga 1 gushti po ashtu të gjithë qytetarët që kanë makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, do të mund t’i riregjistrojë ato me targat RKS (Republika e Kosovës).

Afati për riregjistrim do të zgjasë deri në fund të shtatorit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për lëvizjen e lirë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.