BALLKAN, 28 Janar 2024, 15:37

Ahmeti, deputetëve maqedonas: Marrëveshja e Ohrit ia ka dhënë tapinë Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e vet

Ahmeti, deputetëve maqedonas: Marrëveshja e Ohrit ia ka

Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e quajti “ditë të madhe historike” këtë të diel, duke e uruar Talat Xhaferin që u bë kryeministri i parë shqiptar në Shkup.

Ahmeti shkroi se shqiptarët bënë “rrugëtim të gjatë e të mundimshëm për ta fituar atë që na takon ndër shekuj”.

“Të dashur qytetarë, vëllezër e motra, Dita e madhe historike për të cilën punuam të gjithë bashkë, ERDHI! Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar! Rrugëtim të gjatë e të mundimshëm kemi bërë si popull për ta fituar atë që na takon ndër shekuj, pa pretenduar asnjëherë për të huajën, andaj është plotësisht legjitim gëzimi ynë i sotëm për këtë të arritur të madhe që dikur as nuk mund të imagjinohej. Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pandalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës”, shkroi ai.

Ahmeti përsëriti edhe në Facebook atë që e tha në Kuvendin maqedonas: “Marrëveshja e Ohrit ju dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre”.

“Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit”, shkroi Ahmeti.

“Jam i bindur se Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën europiane”, shtoi ai.

Ahmeti iu drejtua specifikisht dy deputetëve maqedonas të opozitës, Pavle Trajanov dhe Antonio Miloshoskit, të cilët kundërshtuan ashpër zgjedhjen e qeverisë teknike me në krye Talat Xhaferin, që bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Marrëveshja paqësore e Ohrit i dha tapinë Talat Xhaferit të jetë zot në vend dhe në shtëpinë e tij”, tha Ali Ahmeti, raporton Gazeta Express.

“Marrëveshja paqësore nuk ndryshoi vetëm karakterin e shtetit, vetëm statusin e shqiptarëve në shtetin e tyre. Fituan turqit, vllehët, serbët… Të gjithë fituan me Marrëveshjen paqësore të Ohrit. Dhe kjo marrëveshje ne na ka bë zot në shtëpinë tonë. Dhe ju duhet të jeni krenarë, sepse për kët 22 vite bashkë kemi punuar”, tha ndër tjerasah kreu i BDI-së.

Ahmeti kërkoi që kursi i shtetit të jetë i drejtuar kah Europa dhe jo kah Rusia.

“Duhet të jemi të vëmendshëm se çfarë politikash do të drejtojmë. A do mbetemi në instalimin e atyre ideve që gjithmonë kokën ta mbajmë te Moska e stomakun te Europa? Jo! Këto dy gjëra bashkë nuk shkojnë. Truri dhe stomaku duhet të bëhen bashkë sepse i kemi takuar dhe i takojmë Europës”, tha ai.

Deputetit Miloshovski, Ahmeti i tha se ku ai ka lindur, vetë kishte qenë i përndjekur nga shteti maqedonas dhe se i mohohej gjuha.

“Z. Miloshovski. kur ju keni lindur, më 29 shkurt të ’76-ës, unë kam qenë gjimnazist, por qiraxhi, i mohuar, i përqeshur, i përplasur nga ata që qeverisnin aso kohe. Unë si i ri nuk isha i barabartë me gjeneratën që më mësoi. Mua më mohohej gjuha e nanës, prindit tim i mohohej punësimi në vendin e tij, po duhej ta braktiste vendin dhe t’i lë gjymtyrën në Austri”, tha ai.

“Ju flas si njeri që është nga prindër që kanë lënë gjymtyrën e tyre jashtë vendit, si në Austri e Libi”, tha Ahmeti, duke përmendur se ai dhe familja e tij kishin përjetuar vuajtje e tortura nga sistemi.

“A ishte më i mirë (sistemi) atëherë kur më ndiqte mua bashkë me gjeneratat e mia si ‘armik, terrorist, separatist’, apo sot, kur bashkë funksionojnë dhe bashkë drejtorjmë shtëpinë tonë të përbashkët?”, pyeti Ahmeti.

Me 65 vota pro, Talat Xhaferi u zgjodh kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.