AKTUALITET, 10 Gusht 2018, 20:26

Autori i masakrës së Resulajt me tetë viktima, përdorues droge

Autori i masakrës së Resulajt me tetë viktima, përdorues

Ridvan Zykaj, 24-vjeçari që kreu masakrën e Resulajt, ku mbetën 8 të vrarë dhe 6 të plagosur, ishte një përdorues droge dhe jo me të meta mendore.

Kështu raporton “Top Channel”, ndërsa shkaku i tragjedisë ka të bëjë me një qejfmbetje

Sherri, siç mësohet nga hetuesit, ka nisur pas festës së fshatit. Autori ka debatuar me njërën nga viktimat për një gardh, prej së cilës është ofenduar, e në gjakftohtësi e sipër ka shkuar të marrë armën për të kryer aktin makabër.

Autori i ngjarjes ka hyrë fillimisht në shtëpinë e gjyshërve i armatosur me kallashnikov, e ka shtënë mbi ta dhe dy prej pjesëtarëve të familjes së një xhaxhai. Më tej ka shkuar në shtëpinë e xhaxhait tjetër, 30 metra më larg, për të ekzekutuar edhe 4 persona të tjerë, vet xhaxhain, bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Viktimat janë Demir Zyka, Besim Zyka, Azem Zyka, Peri Zyka, Vasilika Zyka, Afërdita Zyka, Sara  Zyka dhe Ledion Zyka.

Dy nga viktimat janë fëmijë të moshës 13 dhe 9-vjeç.