AKTUALITET, 26 Maj 2019, 22:46

Interi dhe Atalanta në Champions, Milani kënaqet me Europa League

Merr fund sezoni 2018/19 në Serinë A italiane dhe java e fundit ka prodhuar emocione, por asnjë surprizë, ndryshe nga sa shpresonte Milani. Atalanta dhe Interi janë në Champions League. Milani mbetet në Europa League!

Interi e mori me qetësi, por golin e parë e gjeti sapo nisi pjesa e dytë me anë të Keita Balde në minutën e 51-të. Mauro Ikardi humbi penallti, Empoli barazoi në minutën e 76-të dhe 5 minuta më vonë Interi shënoi sërish me Naingolan.

Dramë e vërtetë, Empoli goditi edhe shtyllën dhe Handanoviç u bë heroi, me Empolin që zbriti në B për shkak të inferioritetit në takimet direkte me Xhenoan, që barazoi një ndeshje miqësore në Firence (0-0). Në fund, edhe një karton i kuq për Keita Balde, por që shërben vetëm sa për statistikë, pasi kampionati u mbyll.

Kuqezinjtë niseshin në vendin e pestë dhe përveçse duhej të fitonin në Ferrara ndaj Spalit, u duhej një gabim nga Interi apo Atalanta.

Fillimi ishte perfekt për kuqezinjtë, që shënuan shpejt 2 gola dhe morën një lajm perfekt nga Sasuolo, që shënoi me Berardin. Gjithsesi, fundi i pjesës së parë ishte i tmerrshëm, sepse Atalanta barazoi dhe sapo mbaroi pjesa e parë Berardi mori karton të kuq, pas një sherri me lojtarë kundërshtarë.

Paralelisht, Milani pësonte golin e barazimit nga Spali, që kishte shkurtuar fillimisht në minutën e 28-të, ndërsa Atalanta shënoi sërish në Reggio dhe praktikisht siguroi vendin në Champions.

Milani shënoi sërish me Kessie në minutën e 66-të (2 gola për mesfushorin, një tjetër gol nga Çalhanoglu), por mendja ishte te Interi.