AKTUALITET, 22 Dhjetor 2019, 15:41

Atalanta turpëron Milanin, skuadra e Gjimshitit iu shënon pesë gola kuqezinjve

Atalanta turpëron Milanin, skuadra e Gjimshitit iu shënon pesë

Atalanta ka marrë një fitore historike në ditën e sotme teksa ka mposhtur me rezultatin 5-0 Milanin. Kuqezinjtë janë dorëzuar pa kushte ndaj bergamaskëve të Berat Gjimshitit, i cili qëndroi në fushë për 90 minuta.

“Djalli” rikthehet te disfata pas katër takimeve ku i kishte hedhur humbjet pas krahëve, ndërsa situata në klasifikimi është e rënduar. Takimi nisi mirë për Atalantën që kaluan në avantazh në minutën e 10 falë një goli të bukur nga Gomez. Sulmuesi depërtoi në zonë dhe mposhti Donarumën me një goditje precize. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë kuqezinjtë u shpërbënë.

Milani pësoi tre gola në harkun e 11 minutave. Fillimisht, dyfishoi Pasaliç, ndërsa më pas erdhi radha e Iliçiç që realizoi një dopietë. Në minutën e 84, Muriel realizoi edhe golin e pestë teksa Donaruma pati një pjesë të madhe të fajit. Kështu, në fund takimi u mbyll me shifrat 5-0, me Atalantën që ngjitet në vendin e pestë me 31 pikë.