AKTUALITET, 30 Shtator 2019, 20:39

Vendim i papritur i Napolit për Hysajn, lojtari jashtë Champions do stërvitet i vetëm

Vendim i papritur i Napolit për Hysajn, lojtari jashtë Champions do

Klubi i Napolit duket se po mundohet në të gjitha mënyrat të shtyjë Elseid Hysajn drejt një divorci të parakohshëm në muajin janar me vendimet që po merr. Sikur të mos mjaftonte fakti që ai është kthyer në lojtar stoli, tani klubi nuk e merr në konsideratë as atëherë kur është në krizë të plotë dëmtimesh në repartin e tij.

Hysaj këtë javë luajti si qendërmbrojtës në minutat e fundit të sfidës që skuadra e Napolit fitoi ndaj Breshias në kampionat, pasi Manolas e Maksimoviç u dëmtuan gjatë duelit. Për këtë arsye, mendohej se ai do të ishte protagonist në Ligën e Kampioneve, ku Napoli do të përballet me Genk.

Por për çudinë e të gjithëve, edhe pse është në emergjencë të plotë sa i përket prapavijës, trajneri Karlo Ançeloti ka vendosur që të lërë mbrojtësin në shtëpi për transfertën drejt Belgjikës. Hysaj nuk do të udhëtojë nesër me skuadrën, por këtë mesjavë do ta kalojë duke u stërvitur i vetëm në qendrën e ekipit në Napoli.

Një lajm i keq për mbrojtësin e padyshim një tjetër sinjal se në janar duhet të kërkojë medoemos një sistemim tjetër, nëse dëshiron që të luajë rregullisht në vijimin e sezonit.