AKTUALITET, 23 Shtator 2018, 17:42

ARRSH, tender me një firmë në garë që fiton me 99 % të vlerës së akorduar (dokumentet)

Para pak ditësh, Kontrolli i Lartë i Shtetit doli me një përfundim se në 40 përqind të tenderave nuk ka garë. Shifrat janë të frikshme, pasi bëhet fjalë për qindra miliona euro që u jepen subjekteve private, pa patur një garë reale. Pasojat sigurisht bien mbi qytetarët, të cilët po paguajnë më shumë taksa dhe kanë më pak shërbime.

Pak javë më parë, Tpz.al publikoi një investigim, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar akordoi plot 3 milionë EURO për mbikalimet e rugës së Kombit, pasi rezultoi se firmat që projektuan e ndërtuan rrugën, i kishin “harruar”. Dhe ky skandal po mbulohet nga ARRSH, e cila vazhdon të derdhë para në një rrugë që ka marrë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, plot 1.3 miliardë euro.

Megjithatë, skandali thellohet më tej, pasi Tpz.al ka siguruar të tjera dokumente që faktojnë se ky tender ka patur vetëm një firmë në garë. Madje firma fituese ka kërkuar 99 përqind të fondit të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit.

Në dokumente rezulton se ARRSH ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “vendosja e mbikalimeve në aksin rrugor Thumanë – Milot dhe Kukës - Morine”, me fondin limit 372,739,264 lekë pa TVSH. Në këtë “garë” ka marrë pjesë vetëm një firmë, përkatësisht bashkimi i firmave “EVEREST” & ”AURORA KONSTRUKSION”. Vlera që këto kanë kërkuar për ndërtimin e mbikalimeve është 365.260.224 lekë pa përfshirë vlerën e TVSH-së. Pra, një shifër që shkon deri në 99 % e vlerës së akorduar. Por, sipas ligjit, fituesit kanë të drejtë të marrin edhe shtesë kontrate, deri në 20 % e shumës fillestare. Pra, shuma e shpenzuar mund të shkojë deri në 119 %. Një shifër e frikshme, duke parë arkat bosh të buxhetit të shtetit.

/TPZ.AL/