TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i Qeverisë, Edi Rama pas deklaratave të Lulzim Bashës se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos për të hequr vëmendjen nga situata e djegies së mandateve, u ka dërguar sot një mesazh të gjithë deputetëve.
“Në vijim të komunikimit për refuzimin e daljeve me kolegët tanë të arratisur, në debate shterpë të cilat përveçse harxhojnë kot kohën e publikut, derdhin baltë e helm në tryezat e shqiptarëve, më duhet të shtoj se nuk do të replikojmë më në distancë me deklarata e përgënjeshtrime ndaj akuzave e shpifjeve të tyre të pafundme.
E gjithë vëmendja jonë do të jetë tek njerëzit e zakonshëm pa dallim dhe komunikimi ynë do të jetë për ta e me ta. Natyrisht nuk do t’i kursejmë as arratiakët në komunikimet tona, por vetëm kur kjo i duhet komunikimit me qytetarët.
Le të merren kadrinjtë e kazanët me dokrrat e dëshpërimit të tyre dhe le të vlojnë së bashku në zjarrin e mandateve të tradhtuara! Koka bën koka pëson, megjithëse në rastin e tyre koka e bën dhe trupi si gjithnjë e pëson?”, thuhet në SMS e dërguar nga Rama për deputetët e maxhorancës.
Akuzat
Më herët Lulzim Basha në një dalje për mediat tregoi se Edi Rama po përgatit si skenar arrestimin e Vangjush Dakos, në mënyrë që të heq vëmendjen nga situata e tensionuar politike.
“Ajo që dua të ndaj me ju është një paralajmërim për Edi Ramë, asnjë fasadë nuk do ta shpëtoj dot nga përgjegjësia që ka. Orët e fundit janë intensifikuar informacionet se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Arrestimi duhet të ndodhej që kur doli dosja 339, që u kap në përgjimet për të tjetërsuar votat e Durrësit. Mosarrestimi është bërë nga Edi Rama për këtë ai flijoi edhe Fatmir Xhafën.
Çdo shqiptar e kupton që zgjidhja e problemit në këtë vend vjen vetëm me largimin e Edi Ramës. Mund të flijojë edhe njerëz të tjerë të afërm të tij, por asgjë nuk ndryshon në vendosmërinë e opozitës, vendi nuk mund të mbetet më peng i një njeriu të kapur duke vjedhur votat.
Rama duhet të largohet, kupa është mbushur, mjaft është mjaft. Ftoj ndërkombëtarët të mos gënjejnë më veten, se nuk është punë kokë Gjushësh apo Sejdinësh, pasi Edi Rama duhet të largohet. Opozita do vazhdojë e vendosur deri në çlirimin e Shqipërisë, drejtësisë dhe partisë socialiste”, tha Basha.