AKTUALITET, 21 Tetor 2018, 20:00

Arrestimet e Ndokës dhe Çukos, të gjitha akuzat ndaj dy ish-deputetëve socialistë

Dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, u arrestuan sot nga Policia e Shtetit. Ndoka, ish-deputet i Qarkut të Lezhës, akuzohet për tjetërsim pronash me anë të falsifikimit në Lezhë dhe Kurbin, ndërsa, Çuko, ish-deputet i Qarkut të Fierit dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Burgjeve, për korrupsion pasiv kundrejt pagesës për transferimin e një të burgosuri, të njohur si vrasës me pagesë. Arrestimet erdhën si pasojë e hetimeve disamujore nga ana e Policisë së Shtetit.

PARALAJMËRIMI I MINISTRIT

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë një një konferencë për shtyp (18 tetor) së bashku me presidentin e policisë federale gjermane, Dieter Romann, befasoi jo pak kur tha në mbyllje të saj: ““Dhe t’u jap një këshillë, gjatë këtyre ditëve dhe javëve rrini afër me Bitën dhe Gentin se do ketë lajme interesante. Se kur bashkëpunohet ka dhe gjëra të mira. Të tjerat dalëngadalë”. Në harkun e tri ditëve, pra sot, Policia e Shtetit arrestoi dy ish-deputetët socialist, Arben Çuko dhe Arben Ndoka.

AKUZAT NDAJ NDOKËS

Sipas Policisë së e Shtetit, ndaj ish-deputetit 46-vjeçar Arben Ndoka, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte caktuar masën “Arrest në burg”. Ai dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash. Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj.

HETIMI I GRUPIT KRIMINAL

Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë. Megjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim. Gjithashtu disa ditë më parë, Policia e Lezhës goditi një tjetër grup prej 11 ish-zyrtarësh të Hipotekës, aktiviteti i të cilit dyshohet se lidhet me tjetërsimin e tokave në këtë qark.

NË PRANGA EDHË VËLLAI I NDOKËS

Policia e Shtetit mësohet se përveç ish-deputetit socialist të Lezhës, Arben Ndoka ka vënë në pranga edhe vëllanë e tij. Ai quhet Xhevahir Ndoka i cili është pjesë e së njëjtës çështje për të cilën është ndaluar Arben Ndoka. Pak kohë më parë njërit prej vëllezërve Ndoka, Aleksandrit iu bë një atentat në hyrje të shtëpisë që i mori jetën. Autprët nuk janë zbuluar ende. Për 46-vjeçarin Arben Ndoka, gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.

AKUZAT NDAJ ÇUKOS

Ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko, mori një shumë parash dhe një makinë, në këmbim të transferimit të Olsi Karagjozit. Por transferimi ka dështuar dhe korrupsioni i ish-drejtorit ka dalë në dritë. Urdhër arresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Olsi Karagjozi qëllonte biznesmenët, paguhej nga rivalët. Shënjestra e tij kanë qenë kryesisht biznesmenët dhe sipërmarrësit e mesëm. Ka kryer pesë atentate ndaj tyre, por asnjërin nuk e ka vrarë. Sulmet me armë dyshohet se janë paguar nga kundërshtarët e të dëmtuarve, ndërsa janë vënë në zbatim nga i akuzuari për pesë tentativa vrasjesh dhe një grabitje.

/TPZ.AL/