AKTUALITET, 21 Tetor 2018, 17:52

"Merrte para për lejet e të burgosurve", zbulohet arsyeja e arrestimit të ish-drejtorit të Burgjeve

"Merrte para për lejet e të burgosurve", zbulohet arsyeja e

Arrestohet nga policia ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko. Ai dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve.

Urdhër arresti nga Gjykata e Krimeve të Rënda u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Burime për Report Tv pohojnë se Çuko është arrestuar, pasi dyshohet se kundrejt lejeve që jepte për të burgosurit merrte para. Sipas informacioneve të para, Çuko është zbuluar nga përgjimet e një grupi të përfshirë në trafik droge.

Ish-deputeti i PS, Çuko u shkarkua nga detyra e drejtori të Burgjeve në datë 3 shtator nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj pasi dyshohej se ishte përfshirë në një rast korrupsioni.

Arben Çuko ka qenë Komandant i Gardës së Republikës, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Ai mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në korrik të vitit të 2017 dhe zëvendësoi Arjan Hoxhën, i cili u emërua në këtë post pas marrëveshjes Rama-Basha.

Pas shkarkimit nga detyra, vendin e tij e zuri ish-ministri i Brendshëm dhe ish-kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa. Çuko është drejtori i dytë i Burgjeve që është prangosur, pasi të njëjtin fat kishte dhe Artur Zoto dhe ish- zëvendësi i tij, Iljaz Labi.